Deputetja demokrate Ina Zhupa po zhvilloi një interpelancë me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj duke ngritur pikëpyetje mbi investimin e planifikuar në Zvërnec dhe ndikimin e tij në mjedis.
Zhupa tha se Narta është Zonë e Mbrojtur (E katëgorisë V), duke theksuar se si miratohet rrethimi i territorit apo si lejohet ndërhyrja në duna pa vlerësimin e ndikimit në mjedis. Zhupa tha se është ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla.
“A bini ju dakord me faktin se mund të jetë pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe mund të trajtohet si parcelë ndërtimi e zakonshme, apo statusi mjedisor përcakton vlerën ekologjike dhe jo pronësinë mbi tokën? A jeni ju ai që i jeni përgjigjur Komisionit Europian se e keni pezulluar projektin dhe a kishte një projekt? Sepse jeni i njëjti individ që keni thënë se nuk ka projekt, ndërkohë që përmenden shifra konkrete. Ka dokumente që tregojnë se 4 leje janë dhënë për atë projekt.
Sqaroni, a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt apo nuk ka? Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi pa vlerësim të ndikimit në mjedis? Ndërkohë që detyrimi është që ky proces të ndodhë para se të jepet leja e zhvillimit. A mund të miratohen rrethime, rrugë aksesi dhe ndërhyrje të tjera pa u vlerësuar ndikimi mbi dunat, pyllin bregdetar dhe korridoret ekologjike?
Nëse e keni pezulluar, me çfarë akti ligjor e keni pezulluar? Cilën leje keni pezulluar? Kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues? Keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla dhe për të mos pasur më ndalesa për të zhvilluar ku të doni dhe çfarë të doni. Na thoni: a jeni dakord që duhet të shfuqizohet ligji i zonave të mbrojtura? Na thoni: ka më shumë rëndësi të mbrohet zona e mbrojtur apo të shkatërrohet?”, tha Zhupa.
