Regli Lushkja po luan sezonin e tij të dytë te Tirana, teksa në kampionat këtë edicion ka zhvilluar 15 ndeshje. Mesfushori i bardhebluve, në një intervistë ekskluzive për Trevisa Tufën, në Sport News në News 24, foli për aspektin personal, ecurinë e skuadrës dhe çfarë synohet në të ardhmen. Lushkja u shpreh besimplotë se gjërat në kampin kryeqytetas do të përmirësohen, pavarësisht nisjes jo dhe aq të mirë të kampionatit.

 

Jemi përpjekur shumë të gjejmë një shpjegim logjik për situatën që po kalon Tiranë, në këndvështrimin tënd, ku është problemi, besoj e diskutoni shpesh edhe ndërmjet jush…

U bë një kohë që nuk po kemi rezultatet e duhura. Ka patur edhe ndryshime në klub dhe si pasojë, gjithçka do kohen e vet. Presim të mobilizohet ekipi.

11 pikë larg kreut, përtej formulës, a është kjo një diferencë për t’u shqetësuar, kaq e madhe është diferenca mes Tiranës dhe rivalëve për titull?

Nuk është një pozicion i mirë, nuk e meriton Tirana të jetë në këto pozita. Pavarësisht pikëve, nuk besoj që ka diferenca. Ne kemi lënë disa pikë pasi jemi treguar naiv. Nëse do ishim më të përqëndruar, do ishim në vendet e para. Jemi ekipi më i mirë në Superligë.

A ndihet presioni në dhomat e zhveshjes?

Tirana kërkon të jetë gjithmonë në krye. Kemi gjithmonë presionin e pikëve dhe fitoreve. Futbolli i ka këto gjëra.

Të dielën luhet klasikja me Vllazninë, çfarë sfidë pret?

Ndeshje e fortë, speciale. Shpresoj që edhe fati të jetë me ne. Edhe në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë. Shpresoj të dalim me 3 pikë.

Po ju personalisht si ndiheni te Tirana, erdhët për të fituar titullin…

Vjet e humbëm titullin në ndeshjen e fundit. Këtë vit presim të ndryshojë situata.

Janari është pranë dhe kur bëhet fjalë për merkato emri juaj është gjithnjë prezentë, ka ndonjë pistë konkrete, do vijoni të qëndroni te Tirana?

Nuk e mendoj këtë pjesë. Mendoj vetëm për Tiranën. Kemi dy ndeshje dhe jam i fokusuar. Të shikojmë se çfarë mund të ndodhë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: