Pjesa e borxhit të brendshëm e financuar nga individët u rrit përsëri në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit qershor individët zotëronin rreth 20.92% të instrumenteve të borxhit të brendshëm të emetuara nga qeveria shqiptare, nga 20.74% që ishte kjo pjesë në fund të tremujorit të parë dhe 19.6% që ishte në fund të vitit të kaluar.

Pjesa e borxhit të mbajtur nga individët po shënon aktualisht nivelet më të larta historike. Në vlerë absolute, shuma e borxhit të financuar nga individët vlerësohet të ketë arritur në rreth 155 miliardë lekë, në rritje me 15 miliardë lekë ose 10.7% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2022.

Megjithatë, të dhënat në kohë tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të këtij viti investimet e individëve në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare janë rritur me ritme më të ngadalta.

Kjo tregon se tendenca në rënie e yield-eve në gjysmën e parë të vitit 2023 është pasqyruar shpejt në një frenim të interesit të individëve për të investuar në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare.

Investimet e individëve në bonot dhe obligacionet morën një shtysë të fortë gjatë vitit 2022, kryesisht për shkak të rritjes së fortë të yield-eve.

Në muajin mars 2022, Banka e Shqipërisë nisi ciklin e normalizimit monetar, duke e rritur normën e interesit pesë herë brenda vitit dhe duke e çuar atë nga 0.5% në 2.75%.

Kjo rritje u reflektua shumë shpejt, madje edhe u tejkalua në yield-et e titujve të borxhit qeveritar, sidomos në ato me maturim afatshkurtër.

Pasiguria nga rritja e shpejtë e interesave dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre i çuan yield-et pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit. Rritja e yield-eve i bëri titujt qeveritarë shumë më tërheqës edhe për investitorët individualë.

Një pjesë e depozituesve preferuan t’i tërheqin paratë e mbajtura në depozita bankare dhe t’i investojnë në bono edhe obligacione, në kërkim të kthimeve më të larta.

Depozitat bankare në lekë shënuan një rritje mjaft modeste gjatë vitit 2022. Një pjesë tjetër vendosën të shisnin kuotat në fondet e investimeve, që vitin e kaluar pësuan një goditje të fortë nga rritja e yield-eve. Kjo solli një rënie të vlerës së aseteve neto të fondeve me rreth 47% vitin e kaluar.

Në tetor të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi anulimin e vendimit të mëparshëm, për mbylljen e aktivitetit të ndërmjetësimit të investimit të personave fizikë në bonot e thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë.

Kjo e lehtësoi edhe më shumë pjesëmarrjen e individëve në ankandet e bonove të thesarit.

Megjithatë, në gjysmën e parë të këtij viti yield-et pësuan një rënie graduale, për shkak të frenimit të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe kërkesës së lartë të investitorëve për të investuar në këto instrumente.

Yield-et e bonove 12-mujore, instrumentit kryesor të huamarrjes së brendshme, në mesin e këtij viti zbriën shumë afër normës bazë të interesit.

 

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: