Kryetari i Bankës Qendrore të Iranit, Ali Salehabadi tha se mes Teheranit dhe Moskës nën sanksione janë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në fushën e bankave, financave dhe ekonomisë dhe se të dy vendet po planifikojnë të përdorin monedhat kombëtare në vend të dollarit amerikan në transaksionet reciproke tregtare.

Sipas Agjencisë së Lajmeve gjysmë-zyrtare Mehr të Iranit, kreu i Bankës Qendrore, Salehabadi dha një deklaratë për mediat gjatë kthimit të tij nga Rusia për në Teheran, ku ai tha se në bisedimet e zhvilluara me zyrtarët rusë, dy vendet kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre në fushën e financave dhe bankare.

Ai theksoi se në bisedime janë diskutuar edhe hapat që do të ndërmerren në lidhje me çaktivizimin e dollarit dhe euros në tregtinë e reciproke dhe për kalimin në monedhat kombëtare. “Përdorimi i monedhave kombëtare ishte një nga akset e rëndësishme të konsultimit në bisedimet me zyrtarët rusë dhe së shpejti do të shohim zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, tha Salehabadi.

Salehabadi tha se marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së tij në Moskë për lehtësimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë do të zbatohen në të ardhmen e afërt dhe se rezultatet pozitive do të ndihen në të dyja vendet.

Në kuadër të vizitës së tij dy-ditore, Salehabadi bashkë me një delegacion vizitoi Rusinë dhe u takua me zëvendëskryeministrin rus Alexander Novak. Në takim u arrit marrëveshje për zhvillimin e bashkëpunimit bankar ndërmjet Bankave Qendrore të dy vendeve.​​​​​​​

Irani ka qenë subjekt i sanksioneve të njëanshme të SHBA-së që nga viti 2018 ndërsa Rusia u bë objektiv i sanksioneve ndërkombëtare pas luftës që filloi kundër Ukrainës në muajin shkurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb