DURRES – Gjykata ka vendosur sërish masën e arrestit me burg për Eduard Ndreun, ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës gjatë qeverisë “Berisha”, pas shqyrtimit të kërkesës së bërë prej tij për rivlerësim të masës së arrestit. Vetë Ndreu nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati.

Ndreu u arrestua sëbashku me Mehmet Borshin, ish-drejtor inxhinjerik i Portit, pasi dyshohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”, me një dëm ekonomik që llogaritet në vlerën e 230 milionë lekë të reja.

Më 7 mars 2015, vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, pas hetimit të zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit, në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria ka ngritur dyshime për të paktën dy procedura tenderuese, përkatësisht “Kryerja e remontit te pergjithshme te dy elektrovincave 16-27.5 t” dhe “Blerje pjese kembimi elektrike, elektronike per elektrovinca 16-27 ton”. Ndërkohë, prokuroria po vijon hetimet edhe për disa procedura të tjera prokurimi publik nga ky institucion.

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: