SHBA-Gjenerali amerikan idale ne pension, Wesley Clark, i cili kohët e fundit në një artikull për “The Washington Post” tha se Ballkani përsëri mund të thellohet në krizë, dhe për këtë arsye SHBA-ja dhe BE-ja duhet të reagojnë urgjentisht, tani thotë se ai nuk mendon se ka shumë mundësi për konflikt, por mendon se ka forca të huaja në rajon që krijojnë tensione dhe atë që dimë nga historia se Bosnja dhe Ballkani Perëndimor janë shumë të brishtë.

Në një intervistë me televizionin N1 me bazë në Sarajevë, Clark thotë se “fjalët që shprehin zemërim dhe veprimet agresive mund të çojnë në konflikt në Ballkan më shpejt se kudo tjetër në botë”.

“Po, duhet të jemi të shqetësuar. Ballkani Perëndimor duhet të sillet sa më shpejt në qytetërimin perëndimor dhe qytetërimin transatlantik. Kanë kaluar 23 vjet që kemi nënshkruar marrëveshjen e Dejtonit, na mbetet të bëjmë më shumë për zhvillimin në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe unë mendoj se kjo po shkon mjaft vështirë”, tha Clark, i cili ishte komandant i forcave të NATO-s në Evropë gjatë bombardimeve të Serbisë.

Duke folur për skenën gjeopolitike në Ballkan dhe rolin që kanë Rusia, Turqia dhe Kina në rajon, me referencë të veçantë në mitingun e fundit zgjedhor që u mbajt në Sarajevë, nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, Clark thotë: “Mendoj se kur liderët e huaj shkojnë në një fushatë në vende të tjera, si në këtë rast, kjo çon në ngritje të tensioneve. Turqia dhe Rusia po luftojnë shumë mes vete në Ballkan.

Kjo nuk ndodh vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, po ndodh edhe diku tjetër.

Kjo ndodh në Bullgari, Rumani dhe gjetkë”. Sa i përket ndikimit të Kinës, Clark thotë se ajo vjen në Ballkan me fonde investuese dhe, siç tha ai, nuk duhet të habitemi nëse këto fonde investimesh vijnë “me lidhje politike”.

Kur ju sjellni para kineze, ju merrni një ndikim kinez, thotë Clark dhe shpjegon se të tre vendet, Rusia, Turqia dhe Kina, “luajnë lojë” që është sipas tij, “loja ballkanike”.

“Ballkani është në pllakën tektonike të racës njerëzore, është zona ku qytetërimet historikisht janë përballur dhe janë përleshur përsëri. Pra, vlerësimi i saktë është se ne duhet ta përdorim NATO-n për të siguruar sigurinë ushtarake”, tha gjenerali i pensionuar i SHBA-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: