Nënkryetari i Partisë Demokratike Belind Këlliçi përmes një reagimi në rrjetet sociale është shprehur se drejtësia po jep sinjale të reja pro korrupsionit, pasi ish-kreu i ARRSH Gentian Gjyli u la në masën e sigurimit “detyrim paraqitje”.

Reagimi i plotë:

Drejtësia jep sinjale të reja pro Ballukut dhe korrupsionit!
Drejtësia po jep sinjale të reja në favor të Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për abuzim me 1.1 miliardë euro tendera dhe për fshehje pasurie.
Teksa gjithë opinioni është i habitur se si SPAK nuk ka ndërmarrë hapa të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres duke e lënë të lirë, vijnë sinjale për lehtësime të tjera.
Bashkëpunëtorët e saj kryesore në aferat e rrugëve kanë lënë qelinë dhe janë nën masë më të zbutur.
Po pse shkuan në shtëpi drejtorët e Ballukut, Gjyli dhe Elezi? Sepse kanë kaluar afatet e hetimit. Pra SPAK ka lejuar që këto afate të mos respektohen.
U ka hapur vetë dyert e qelisë. Ky është një zhvillim shqetësues për drejtësinë dhe në favor të korrupsionit.
Nëse SPAK vijon me këto ritme, zyrtarët e lartë dhe Balluku janë duke fituar një imunitet të ri dhe ndodhemi kështu para një pabarazie para ligjit, që e kemi financuar me plot 500 milionë dollarë nga taksat e shqiptareve.
Një tjetër zhgënjim nga drejtësia e re, nga e cila njerëzit kanë pritur më shumë!
Prej 82 ditësh qytetarët në protestë kërkojnë hetim të korrupsionit, luftë ndaj pandëshkueshmërisë, ndërkohë që zyrtarët e zullumit qeveritar po privilegjohen e po fitojnë lirinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb