Zyliha Miloti mes pikëllimit ka kujtuar kontributin e kolegut të saj, Zef Deda, i cili u nda nga jeta dje në moshën 73-vjeçare.

Në një prononcim për mediat, Milot tha se Shkodra dhe Shqipëria janë zgjuar sot pa një artist të madh.

“Sot Shkodra jonë e dashur është zgjuar pa një artist të madh, pa një ikonë. Zef Deda është personalitet i artit shqiptar. Ai ka lindur me qenë artist. Që në moshën 5-vjecare ka dalë në skenën e Migjenit. Babai i tij ishte piktor. Me Zefin kam punuar mbi 50 vite në skenë, kemi qëndruar më shumë se në shtëpi dhe gjysmë fjalë se kemi bërë. Zoti ia kishte falur talentin atij artisti në të gjithë drejtimet. Për mua është ça t’ju them..këngëtar, instrumentist, të gjitha të dhënat që mund të ketë një artist, ia kishte falur Zoti, Zef Dedës. Zefi fizikisht nuk ekziston më, por jeton me vepra. Nuk lind më një Zef Dedë. Zefi kishte një karakter të veçantë. Ishte shumë i dashur, gazmor, krijonte para shfaqjes atmosferë, këndonte dhe bërtiste. E kemi quajtur alegria e estradës, Guseppe, beniamini i estradës. Zhurmaxhiu, i shkathtë, kavalier. Është humbje e madhe, për familjen, Shkodrën, dhe gjithë shqiptarët.”, tha aktorja e pikëlluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb