Gjykata e Selanikut dënoi me 15 vite burg një 48-vjeçar shqiptar për një krim të kryer gati 24 vite më parë, në zonën e Sindos. Sulmuesi ka vrarë me thikë një bashkatdhetar 19-vjeçar dhe më pas është arratisur drejt Shqipërisë. Në shtetin fqinj, ai u dënua për vrasje nga pakujdesia dhe pasi kreu 10 vjet u lirua në dhjetor 2021. Në prill 2023, i akuzuari u arrestua, me një urdhër ndërkombëtar, në Mal të Zi dhe më pas u ekstradua në Greqi. Çështja u dërgua në Gjykatën e Selanikut pasi vendimi i mëparshëm i gjykatës shqiptare nuk përbën res judicata sepse Shqipëria nuk është vend i BE-së.

Kështu, ai duhej të gjykohej dhe të vuante pjesën tjetër të dënimit në Greqi, siç shpjegoi për avokati mbrojtës, Thanasis Alexopoulos. Viktima 19-vjeçare dhe autori 24-vjeçar (në atë kohë) punonin, si emigrantë në punë bujqësore dhe blegtorale, në zonën e Sindos.

Sipas aktakuzës, më 30 janar 1999, i pandehuri ka debatuar me viktimën dhe dyshohet se e ka sharë dhe kërcënuar. Të nesërmen ata u takuan së bashku me bashkatdhetarët e tjerë në një stallë në të njëjtën zonë. Në një moment viktima është larguar për të marrë cigare, ndërsa autori e ka ndjekur me motor dhe në një distancë prej 100-150 metrash e ka kapur dhe kanë debatuar sërish.

Bashkatdhetarët e tyre kanë treguar se kanë parë autorin duke mbajtur në dorë një thikë dhe viktima një shkop të gjatë. Siç thanë ata, dy personat janë përfshirë në sherr dhe 48-vjeçari ka shtyrë viktimën dhe është larguar me shpejtësi. 19-vjeçari shkoi në stallë dhe më pas u rrëzua në një pellg gjaku, duke dhënë dhe frymën e fundit. Në Gjykatë 48-vjeçari, baba i katër fëmijëve të rritur, ka pranuar aktin e tij. “E kam bërë. I kërkoj falje të gjithëve, fillimisht familjes së viktimës. Kam ardhur në Greqi për të punuar, për një jetë më të mirë. Bashkatdhetarët e mi që kemi punuar bashkë më kanë thirrur të rrimë. Ne e kemi njohur viktimën, e kam pasur atë si vëlla. Natë më parë ishim mbledhur në stallë. Ndërkohë qe po pinim dikush i tha që e shava. Po të kisha diçka me të nuk do të shkoja. Natën fatale kur hyra në vendin ku të gjithë ishin, e pyeta: “Pse nuk flet me mua? Ai u largua për të marrë cigare. Edhe unë hipa në biçikletë dhe nisa të iki, për të shkuar atje ku isha. Ishte natë. Gjatë largimit, viktima dhe dy të tjerë më prisnin jashtë dhe më goditën me një send hekuri. Rashë nën makineri dhe për 10 minuta isha pa ndjenja. Mendova se donin të më grabisnin. Teksa shkova të marr makinën, viktima erdhi mbi mua. Unë kisha një thikë shërbimi dhe e godita. Nuk e mbaj mend si ndodhi, nuk e kuptova kë sulmova”, pohoi ai. “Kur po shkoja në polici erdhi një shqiptar dhe më tha se ai që godita vdiq, u tremba dhe u largova”, shtoi ai dhe kur u pyet për 19-vjeçarin, ai qau dhe tha: “Ai ishte një djalë i mirë. Nuk do ta bënte një gjë të tillë. Të tjerët duhet t’i kenë thënë të më sulmojnë. Unë kam qenë vetëm tre muaj”.

Prokurori sugjeroi fajësinë e tij dhe kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Juria unanimisht e shpalli fajtor për vrasje me paramendim, pa rrethana lehtësuese. Mirëpo, është vendosur burgim të përkohshëm sipas ligjit përkatës. Kështu, i akuzuari ka mundësi të lirohet nga burgu pasi ka kryer tashmë 3/5 e dënimit në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: