ITALI- Autoritetet italiane kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Odisea”, në kuadër të të cilit janë arrestuar 15 persona, 9 shqiptarë dhe 6 shtetas italianë, të akuzuar për trafik droge mes Shqipërisë e Italisë. Sipas mediave italiane, policia sekuestroi 3.5 tonë drogë me vlerë 70 milionë euro.

Operacioni “Odisea” është vazhdim i hetimeve të nisura pas përfundimit me sukses të operacioni “Reset” më vitin 2013, i cili çoi në arrestimin e 23 personave me akuzën e grabitjeve, mashtrimit, drogës e mbajtjes së armëve pa leje.

Mësohet se shqiptarët e arrestuarit janë: Oresti Mufali 33 vjeç, Albert Shqau 31 vjeç, Erion Muçaj 34 vjeç, Ermir Baja, 46 vjeç, Jodian Shametaj 25 vjeç, Emiliano Shametaj, 28 vjeç, Gentian Hoxhaj, 35 vjeç, Fatjon Hoxhaj, 28 vjeç, e Erson Zhuka, 31 vjeç.

Hetimet e policisë së Katanias vërtetuan ekzistencën e dy organizatave kriminale, njëra me bazë në rajonin e Lacios, e tjera me qendër në provincat e Katanias e Raguzës në rajonin e Sicilisë. Këto organizata ishin përbërë kryesisht nga shqiptarë banues në Itali, që falë kontakteve me miqtë e tyre në Shqipëri realizonin furnizimin me kanabis sativa në sasi të mëdha. Sipas policisë, droga e importuar nga Shqipëria furnizonte organizata të mëdha kriminale në rajonin e Sicilisë. Trafiku i drogës bëhej përmes detit me skafe apo mjete të tjera lundruese. Importimi bëhej nga Shqipëria dhe zbarkonte në Pulja. Prej aty, droga dërgohej në Romë ose drejt Katanias.

(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: