ITALI- Ka zgjedhur meshën e madhe, atë të së dielës për të dhënë një lajmërim, që prej javësh ishte një ndër thashethemet më të mëdha në komunitetin e besimtarëve: Prifti ikën për tu martuar. Kjo gjë ka ndodhur në Borgo San Dalmazzo, pranë Cuneo.

Don Claudio Cavallo, 50 vjeç, pastor prej 5 vitesh i Kishës së San Dalmazzo, një prej dy famullive të qytetit, ka vendosur se kishte ardhur koha të njoftonte lajmin e madh: “Të dashur të pranishëm, të mëdhenj e të vegjël, të gjithë ju që jeni dhe nuk jeni këtu, por që frekuentoni rregullisht kishën, sot duhet t’ju jap një lajm të pazakontë”, kështu e ka nisur fjalën e tij prifti, i cili lajmëroi në meshën e së dielës se do të lërë veshjen e tij për tu martuar. Arsyeja e këtij vendimi është pasi në muajin mars ai do të bëhet baba dhe bashkë me shoqen e tij, do të kujdesen për fëmijën që do të vijë në jetë.

“Jam këtu për t’ju përshëndetur dhe për të falënderuar Zotin për këtë rrugë që kemi bërë bashkë. E di se ai është Udhëheqësi im, ndaj jam një njeri u lumtur për gjithçka që kam”,- ka thënë prifti 50-vjeç. Ai ka vijuar të thotë se : “Pas një kohe të gjatë meditimi, lutjesh, rrëfimi dhe përballje me superiorët e mi, mora vendimin e përballjes me një sfidë të re.
Është një zgjedhje kjo që do të bëj, e cila nuk do të fshijë idealisht gjithçka që kam mësuar deri më tani. Do ti kushtohem familjes dhe fëmijës tim, ndaj më duhet të heq dorë nga të qënurit në krye të kishës, pasi nuk lejohet që ti bëj të dyja”. Pasi ka thënë këto fjalë, ai është duartrokitur nga të gjithë të pranishmit dhe më pas ka thënë: “Vetëm dashuria mund të jetë e aftë të lindë jetë dhe të çojë përpara të vërtetën”.
Ndërkohë që është zgjedhur edhe pasuesi i tij Roberto Mondino. Ndërsa Monsinjor Giuseppe Cavallotto, peshkop i Cuneo, ka vlerësuar vendimin e priftit. “Sot don Claudio ka përshëndetur komunitetin e tij të besimtarëve duke i komunikuar lajmin se do të lërë detyrën e tij si prift. Vendimi është pjekur dhe diskutuar me Peshkopin, ishte një zgjedhje e dhimbshme, e përjetuar me sinqeritet. I jemi mirënjohës për shërbimin bujar që don Claudio ka bërë ndaj Kishës. Jam i sigurt se zgjedhja e tij surprizë, do të mirëkuptohet nga të gjithë”, tha Cavallotto.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb