Mendoni se kaloni shumë kohë online në “Facebook”? Ju duket se keni nevojë që të shkëputeni nga ai apo të mbyllni profilin tuaj? Mos u shqetësoni! Duket se ky rrjet social ka edhe anët e tij pozitive për mendjen tuaj.

Për shembull, ai mund t’ju bëjë që të lexoni më shumë gjëra në ditë nga sa lexonit më parë, ju mban më të informuar. Ja atëherë arsyet për të cilat “Facebook” ju “bën mirë”!

Shikimi i imazheve pozitive rrit krijimtarinë tuaj

Sipas studimeve, njerëzit ndihen më pozitivë dhe më energjikë nëse shohin imazhe pozitive; krijimtaria e tyre zhvillohet më tej, ndërsa mënyra se si punojnë, përmirësohet akoma më shumë.

Një numër më i madh miqsh do të thotë një numër më i madh “trush”

Duket se numri më i madh i miqve mund të përmirësojë punën e trurit tuaj, sepse ai mund të vihet në lëvizje shumë lehtë prej larmishmërisë së ideve që miqtë tuaj shprehin.

Fotot e këlyshëve të qenve dhe të koteleve përmirësojnë inteligjencën

Shpesh faqet që ju keni pëlqyer publikojnë foto të kafshëve shtëpiake. Këta të fundit, përveçse janë shumë të këndshëm, duket se ndikojnë pozitivisht tek inteligjenca juaj. Sipas një studimi të kryer në Universitetin e Hiroshimës, fokusimi tek imazhet e këndshme të qenushëve e të koteleve, mund të përmirësojë ndjeshëm përqendrimin.

Ndihmon shumë memorien

Në jetën reale të përditshme, kemi të bëjmë me një numër të limituar personash, por në “Facebook” nuk është kështu. Përdoruesit e tij kanë minimumi 200 miq. Sipas studiueses skoceze, Tracy Alloway, njohja e të gjithë miqve virtualë dhe dijenia se çfarë ata bëjnë në jetën e tyre, e detyron kujtesën tonë që të punojë më tepër. Mbajtja e kontakteve me gjithë këta persona, është një “punë” më se e dobishme për trurin tonë.

Ju detyron që të bëni më shumë kujdes me gjërat që shkruani

Të shkruash në “Facebook” nuk është sigurisht e njëjta gjë si të shkruash te një gazetë me famë kombëtare apo t’i dërgosh një email profesorit; por, gjithsesi, stili juaj i të shkruarit do të jetë i ndryshëm nga kontekste të tjera. Studimet nga Universiteti i Standfordit kanë demonstruar se studentët që shkruajnë më shpesh në “Facebook” kanë kapacitet të shkruari më të zhvilluar nga të tjerët, sepse përshtaten më shumë me kontekste të ndryshme.

Sforcoja e argumentimit

Një tjetër aspekt interesant i “Facebook” është ai i të qenët “mbreti” perfekt i diskutimeve mes përdoruesve. Për çfarëdo lloj teme që diskutohet, argumentet janë të pamungueshme.

Lexohet më shumë

Vetëm nëpërmjet një klikimi te një faqe në fusha të ndryshme, ne na vijnë materiale të shumta në “homepage”. Nuk mund të mohohet fakti se shpeshherë gjejmë tekste tepër interesante për t’u lexuar. Nëse deri më tani kemi thënë se “Facebook”-u në disa aspekte bën keq, në pjesën e të lexuarit në fakt bën shumë mirë, por vetëm se duhet të jeni të vëmendshëm nga ato që lexoni.

E mban trurin të stërvitur

Përveçse ofron thashetheme të çdo lloji mbi jetën e të tjerëve, “Facebook” na ofron edhe lojëra. Duket se videolojërat nuk kanë një ndikim vetëm negativ në trurin tonë. Në fakt, çdo nivel i kaluar korrespondon me një sfidë dhe lojërat me një strategji të veçantë e stërvitin shumë trurin.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: