Didier Deschamps e ka shkruar historinë e Kupës së Botës, por tashmë ai kërkon të barazojë një rekord 84 vjeçar. “Gjenerali i Vogël” udhëhoqi Francën për të dytën herë radhazi në finale të Kupës së Botës, duke u treguar të gjithëve se mbetet strateg dhe jo rastësisht erdhën sukseset.

Megjithatë, ai nuk ndalet, tashmë kërkon trofeun e dytë si trajner, teksa si futbollist e ka ngritur vetë në vitin 1998-të teksa ishte kapiten i Gjelave. Deschamps ishte i emocionuar pas ndeshjes, teksa u shpreh: “Jam krenar për këtë ekip, sinqerisht që kam më shumë emocione se katër më parë. Ne kemi një muaj që jemi bashkë me lojtarët, nuk është asnjëherë e lehtë dhe gjithashtu kemi qenë edhe me fat deri tani.

Por lojtarët janë shpërblyer për atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Tani kërkojmë trofeun, do kemi edhe një sforco të fundit të dielën’ – u shpreh Deschamps, i cili nuk komentoi shumë për dëmtimet dhe zëvendësimet.

Në kahun tjetër, pavarësisht eliminimit, trajneri i Marokut, walid Regragui nuk ka asgjë tjetër, veç komplimente për t’i dhënë ekipit të tij, pasi u ndesh i barabartë me kampionët në gjysmëfinale të Kupës së botës: “Ne bëmë më të mirën, që është gjëja më e rëndësishme.

Patëm disa lëndime, por ata që luajtën bënë maksimumin dhe ne u kthyem në lojë menjëherë pasi pësuam një gol në pjesën e parë. Në pjesën e dytë shkoi edhe më mirë, u përpoqëm të shënonim golin e barazimit, por nuk ishte e thënë. Nuk dolëm me kokën ulur, dhuruam futboll” – theksoi ndër të tjera numri një i stolit maroken.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb