“Në 8 vite unë kam parë një Sali Berishë që ishte i devotshëm në punë, në kryerjen e reformave. Momenti më delikat për mua ka qenë momenti i zgjedhjes së pasardhësit në PD. Momenti më delikat ka qenë kur vendosi që pasardhësi i tij do të ishte Lulzim Basha”. Kështu deklaroi ish-ministrja e Integrimit në qeverinë Berisha, Majlinda Bregu në emisionin “Top Story” teksa komentoi situatën në Partinë Demokratike. Ajo e la të hapur mundësinë e rikthimit, ndonëse tha se është në një detyrë aktualisht. Sa i përket rikthimit të Sali Berishës në krye të PD, Bregu deklaroi se ky moment i ri sot e riktheu Sali Berishën në skenë sepse PD është një parti heroi

“Unë nuk thashë fajtor Lulzim Basha. Unë thashë që problemet nisën në momentin që partia iu dhurua Lulzim Bashës. PD normalisht duhet të kishte shkuar në një proces zgjedhor për të gjetur një kryetar partie.

A ka mundësi tani PD-ja tani që është e ndarë në disa grupe, a mund të dilte sot me një profil që të ishte përbashkues për të gjitha grupet, nuk e di nëse mund të ndodhte në këtë moment.

Ky moment i ri sot e riktheu Sali Berishën në skenë sepse PD është një parti heroi dhe një pjesë e madhe e panë si prerje në besë të liderit ndaj një lideri historik.

Nuk e shoh dot çështjen vetëm si histori individësh. A do kishte vendosur Sali Berisha të rikthehej nëse nuk do ishte historia e non-gratës? Unë mendoj që nuk ka ikur asnjëherë”, tha Bregu.

Ajo rrëfeu dhe një takim me Lulzim Bashën vitin e kaluar në Lubjanë.

“Po nuk është as çështje cinizmi Sokol. Unë e kam takuar Lulzim Bashën vjet. Asnjë nuk e di ose pak vetë e dinë, rastësisht në një udhëtim në Lubjanë të dy bashkë. Është ajo historia, një gjë që e merr përsipër o bëje ose ik. Je po aq i nderuar edhe nëse nuk e bën dot. Nuk pse t’i bësh të tjerët të marrin një kosto kaq të madhe dhe s’ke pse të jetosh nën frikën dhe petkun se nuk je ti por dikush tjetër po të lëviz fijet kjo është. A ka sot në PD që shpresojnë se nesër do i lëvizen fijet po aq sa Lulzim Bashës? Edhe kjo mund të ndodhë. Por problem kryesor sot është a do të vijë PD në zgjedhjet e ardhshme që nuk janë shumë larg do të ketë mundësi për të thyer ciklin e një partie që sot është në pushtet që ka qeverinë e pushtetin lokal?

Jam në një punë, jam në një detyrë, që me sa duket po e bëj mirë dhe nuk është pak, nuk më mban larg nga politika. Nuk është organizatë teknike. Është një institucion që më mban në sportin e politikës, por në një nivel tjetër. Nesër kushedi?! Të gjithë çohemi në mëngjes pavarësisht se sa fjalë të bukura ka gjuha shqipe ne themi kismet”, deklaroi Bregu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb