Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me aleatët e tij ku është diskutuar për vijimësinë e aksionit opozitar në javën e fundit të qershorit, që mbyllet me datën 30, ditë kur maxhoranca do të zhvillojë zgjedhjet.

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka folur pas mbledhjes me kreun e PD-së Lulzim Basha duke theksuar se kjo javë do të kulmojë me protesta popullore.

“Nuk është se morëm ndonjë vendim se vendimet janë marrë me kohë. Kjo javë do të kulmojë në protestën popullore, në një raport krejt ndryshe me mediat për të përcjellë këtë ide fikse prej 4 muajsh. Këto nuk janë zgjedhje, nuk i njohim, janë votimet e zotit Edi Rama. Ne do ndjekim dekretin e Presidentit.
Nuk ka ndonjë vlerë Kolegji. Janë disa fatkeqë që i ka rënë fati i keq të marrin disa vendime të vështira për veten e vet jo për ne, sepse ne nuk i njohim. Ne do përballemi në çdo cep të Shqipërisë me juntën politike. Këto zgjedhje nuk i njohim. Rrezikshmëria e këtij personi dhe këtij grupi është aq e madhe sa justifikon çdo lloj forme rezistence. E kemi treguar deri sot që janë mbledhur me qindra mijëra njerëz dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është rezistenca jonë që do jetë edhe më e madhe kësaj jave”, deklaroi Shehi.

Ky takim i Bashës me aleatët vjen pas mbledhjes së Kryesisë së PS ku Rama ka caktuar detyrat për mbylljen e fushatës elektorale dhe zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor dhe po ashtu, një orë para mbledhjes së Kolegjit Zgjedhor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb