Rreth 300,000 njerëz dolën në një tubim të madh pro-palestinez në Londër të shtunën, ndërsa policia arrestoi shumë kundër-protestues që u përpoqën të përballeshin me marshuesit.

Pati një prani të madhe policore në Hyde Park Corner të Londrës qendrore, ndërsa protestuesit brohorisnin “Palestinë e lirë, e lirë” dhe “armëpushim tani”. Ata u dëgjuan gjithashtu duke brohoritur “nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë!” Një zëdhënës i Policisë Metropolitane të Londrës i tha CNN se rreth 300,000 njerëz morën pjesë në demonstratë, e cila përkoi me përkujtimet vjetore të Ditës së Armëpushimit dhe Ditën e Veteranëve në SHBA.

Policia tha se arrestoi 82 kundër-protestues që tentuan të përleshen me ta. Ata thanë se ishin “përballur me agresion nga kundër-protestuesit”, të cilët sulmuan zonën “në një numër të konsiderueshëm” ndërsa tubimi po mbahej. Një protestuese pro-palestineze tha për CNN se ishte “e mahnitur nga hipokrizia e atyre që mbështesin Ukrainën, por jo Palestinën”. “Disa politikanë mund të jenë në anën tonë, por ata kanë shumë frikë të flasin,” shtoi ajo.

Një tjetër protestues tha se numri i njerëzve që kishin dalë në marshim ishte “frymëzues”. “Ne duhet të flasim për ata që nuk kanë zë”, shtuan ata.

Përleshje e ekstremit të djathtë me policinë

Policia kishte premtuar se do të përdorte “të gjitha fuqitë dhe taktikat që kemi në dispozicion” për të ndaluar kundër-protestuesit që po përballeshin me marshimin pro-palestinez. Më herët gjatë ditës, një ekip i CNN në terren dëgjoi britma dhe vëzhgoi një prani të madhe policore ndërsa një grup protestuesish të ekstremit të djathtë u përpoqën të sulmonin memorialin e luftës, i cili ishte vendosur në një zonë përjashtimi për mbrojtje.

Organizatori i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, udhëhoqi një demonstratë të vogël, por të zhurmshme për të arritur te Cenotaph, një pikë referimi simbolike që ndodhet në Whitehall, distrikti i Londrës ku qëndron kryeministri dhe departamentet qeveritare.

Gjatë orës së 11 – të ditës së 11, të muajit të 11-të, Mbretëria e Bashkuar ka mbajtur tradicionalisht një heshtje prej dy minutash për të përkujtuar momentin kur armët pushuan duke shënuar fundin e Luftës së Parë Botërore në 1918.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb