TIRANË

Në News24 ka nisur një projekt i ri titulluar “Jeta pa filtër”, me autore psikologen Ervisa Lula. Në qendër të vëmendjes janë problemet psiko-sociale. Kamera shkon aty ku ngjarjet ndodhin, shqyrtuar nën objektivin e ekspertëve. Një vëmendje të shtuar kanë çështje që deri tani janë kaluar përciptas, por që kërkojnë të trajtohen me kujdes për shoqërinë tonë të prekur nga një lumë ngërçesh që duhen qartësuar me urgjencë.

Duke dalë nga kornizat klasike të një emisioni të mirëfilltë, “Jeta pa filtër” ndjek dinamikën e zhvillimit të subjektit në terren për të qenë sa më konkretë dhe të kuptueshëm për të gjithë. Autorja, Lula thotë se ky program synon të sjellë realitetin të qartë, pa truk e pa filtër.

“Qëllimi është ndërgjegjësimi i shoqërisë sonë që për arsye të ndryshme është e frustruar, kërkon ta njohë veten e ta shohë në sy atë”, -shprehet Lula, ndërsa episodi i parë ka hedhur dritë mbi mënyrën si njerëzit po i krijojnë njohjet në çift, në një kohë kur jeta private ka dalë në plan të dytë e kërcënuar nga nevoja emergjente për të siguruar të mirat materiale. “Jeta pa filtër”, vjen çdo të martë në orën 10:30 në TV News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb