Kantautori Gjergj Leka ka ndarë kujtime të çmuara për miqësinë me Kujtim Prodanin, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pasi ishte prekur nga koronavirusi.

Në një rrëfim për emisionin ‘Rrugëtim me Anilën’ në “News24” Leka pohoi se artisti i mirënjohur shqiptar, Kujtim Prodani do të jetë prezent përmes veprave të tij që la pas. Leka tha se ishte njohur me Prodanin në vitet 80, ndërsa theksoi se ky i fundit ishte sulmuar shumë përgjatë viteve dhe nga shumë kolegë.

“Programi im i së shtunës titullohet ‘Ej mik’ dhe një nëntitull ‘Xhentëlmeni i këngës’. Kjo këngë, që po e dëgjoja tani, është sikur është shkruar për të gjithë ne. Nuk është një nga ato këngë që parandien se çka mund të ndodhi. Kujtimi me parandjenjat ka pasur një marrëdhënie të veçantë. Edhe sa i përket momenteve të ndryshme të jetës, qofshin private apo artistike. Jo këngë u shkrua për ndarjen nga jeta të disa miqve, konkretisht të Gjergj Xhuvanit, që Kujtimi e ka pasur si vëlla. Sot kënga (Ju flet korona) ka një vlerë tjetër. Sarkazma dhe ironia e jetës është se do të bëhen të famshme pas ikjes së Kujtimit. Ato do duhej të ishin të famshme që kur ai ishte gjallë. Jam i indinjuar nga ata që nuk e njihnin, injorancë. I vetmi moment që vlerësova në gjithë këtë amulli, se mu kujtua ndarja nga jeta e Vaçe Zelës, apo e Sandër Lalos, që lotonin ata që e kishin luftuar gjithë jetën. Shpresoj që mos të ndodh kjo me Kujtimin. Ne e dimë shumë mirë se kush e donte dhe kush jo. Kujtimi është ndryshe nga ne. Ai kishte projekte shumë të thjeshta. E them dhe me mërzitje fjalën; ‘aq sa i mbante xhepi’. Këtu ishim të përbashkët. Kishte një mori shokësh që e donin, si Sajmir Çili psh. Nuk dua që të bëj rolin se qamë për Kujtimin, pasi duhet të kishim qarë kohë më parë. Projektet e Kujtimit do të vazhdojnë. Ai është nisur për një rrugë të gjatë, të cilën disa vite më parë e kërkonte ta bënte, që të takonte Anitën dhe Agimin. Projekti i tij do të jetë me ta. Do të kenë një këngë së bashku. Kënga do të bëhet prapë me shpenzimet e tij.”, pohoi ai.

Mes të tjerash Gjergj Leka tregoi se si ishte njohur me mikun e tij, Kujtim Prodani.

“Në kujtime kemi njohje në vitet e çuditshme, në vitet 80. Unë jam një vit më i madh. Ndihej diferenca e Kujtimit mes tij dhe moshatarëve. Ai kishte thjeshtësinë e paraqitjes. Një gjë që nuk i ndryshoi Kujtimit ishte, qeshja dhe karakteri. Ne na ndryshoi barku dhe floku. E kam njohur gjatë kohës që bëja recitalin e parë në një estradë, që ishte ai i Bashkim Alibalit. Atë kohë kisha mik babain e Kujtimit, Agimin. Anitën e kisha si nënë dhe ajo si bir. Artist nuk bëhet kushdo. Një fjalë të bukur do ta sjellë kur e ka thënë Kujtimi, jo në ekran. Ka thënë; “që të bësh piano-bar, duhet të paktën stërgjyshi të ketë pasur piano në shtëpi”. Kujtimi ka qenë i thellë. Jeta e Kujtimit me muzikën janë paralel, janë një.”, tha Leka.

Po ashtu ai tregoi kontaktin e fundit që kishte pasur me Prodanin, ndërsa shtoi se miku i tij iu kishte dhënë të gjithëve një ‘mësim’ me këngët e tij.

“Kontakte kishim shumë. Kontaktuam për festën e këngës shqiptare që bëra se doja një këngë të tij. I kërkova një këngë ‘Babel’ me të cilën ai pati probleme. Me këngën ‘Babel’ është bërë padrejtësi e madhe. Me të janë bërë shumë padrejtësi. Dje Elton Deda kishte bërë një status të sinqertë, që i ka të gjitha brenda. Në këto raste, me këto njerëz, është fiks ajo fjala që unë nuk e duroj dot që; ‘çudia më e madhe zgjat 3 ditë’. Ne që bëjmë muzikë, apo kush bën pikturë, dhe është i zoti, ai do të mbetet gjithmonë. Mendoj se Kujtimi edhe parandiente diçka. Po bëja një muhabet me një nga miqtë e tij më të mirë, Arben Subashin, atje ku mblidheshim. Edhe Beni po më thoshte, se ‘Kujtimi po jetonte këto dy muajt e fundit ai po jetonte sikur të ishte dita e fundit, me një intensitet’. Kujtimi ishte një djalë i kujdesshëm, por jetoi siç deshi vetë. Ky është fati i madh që kanë artist si Kujtimi. Fakti se i këndoi dhe mjekëve me këngën e famshme dhe koronës, do të thoja se ka diçka që nuk shkon. Shumë nga kolegët e mi nuk i kanë dashur këngët e Kujtim Prodanit. Tani kanë frikë mos i them emrat. Do i them, por një herë tjetër. Nuk duhet asnjëherë të bëjmë gabim që të themi se; ‘nuk është më’. Nuk bëhen dy artist miq sot në Shqipëri. Fati është se Kujtim Prodani ka shumë miq dhe kjo e ka ndihmuar atë që të ketë një stil muzikor që mos t’i kthehej tallavasë siç bënë disa të tjerë. Ai zgjodhi të ishte beqar, por i martuar me muzikën. Kujtimit më së fundi po i klikohen këngët dhe po bëhet ‘mësim’. Na e bëri dhe këtë. Asnjë nuk e priste dhe unë mendoj se ky ka qenë qëllimi i tij. Ndaj kur të ‘kthehet’ pas një muaj me të ëmën dhe të atin, me këngën e re, ne do të kemi mësuar më shumë. Jam i bindur! Do kujtoja këngën e ‘Mjekut’, pasi Kujtimi është i respektueshëm, me shumë kulturë. Vjen nga një familje me stërgjysh me piano. Kultura dhe mirësjellja lind me njeriun. Është vështirë të bësh sikur je i kulturuar”, pohoi Leka.

Teksa moderatorja Anila Çela e pyeti Lekën në lidhje me emisionin që do i dedikoi mikut të tij, ai tha se e kishte të pamundur, ndërsa u përlot.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb