Për herë të parë në historinë moderne të shtetit shqiptar, vota erdhi jo vetëm nga Tirana, Durrësi apo Shkodra—por edhe nga Milano, Athina dhe Boston-i. Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 11 majit 2025 ishte një arritje historike. Pas dekadash premtimesh të pambajtura—dhe në saj të punës së organizatave me bazë në diasporë, të kryesuara nga levizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë, qytetarët shqiptarë jashtë vendit më në fund patën të drejtën të votojnë. Dhe ndikimi i tyre u ndje menjëherë.
Çfarë mësuam nga këto zgjedhje?
Së pari, që vota e diasporës ka peshë reale. Në disa gara të ngushta, ishte pikërisht vota nga jashtë që bëri diferencën—duke ndikuar direkt rezultatin final dhe duke ndryshuar balancat. Vota e diasporës nuk është një akt simbolik, por një dëshmi konkrete se pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë Shqipërisë mund të jetë faktor vendimtar në politikën shqiptare.
Së dyti, ky votim sinjalizon një mundësi për ndryshim. Vota e diasporës hap rrugën për forca të reja politike, më të afërta me realitetin e shqiptarëve të cilët janë të gatshëm të lejnë pas periudhën e tejzgjatur të tranzicionit politik. Energjia, përvoja dhe perspektiva që sjell diaspora mund të ndihmojnë në thyerjen e polarizimit të vjetër dhe në ndërtimin e një kulture të re politike—më moderne, më transparente dhe më afër qytetarit.
Së treti, partitë politike mësuan se ata nuk duhet ta konsiderojnë votën e diasporës automatikisht të tyren. Siç tashmë duket qartë nga rezultatet finale, ajo kërkon angazhim real, organizim dhe komunikim serioz. Ky mësim vlen edhe për ata të cilët mund ta interpretojnë mbështetjen e fituar në këtë cikël zgjedhor si një vlerësim të punës së tyre. Vota e diasporës është meritokratike dhe e lirë nga lidhjet klienteliste—ajo jepet, por edhe tërhiqet me të njëjtën lehtësi. Sidoqoftë, kemi ende shumë për të bërë.
Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës Botërore, jashtë Shqipërisë jetojnë rreth 1.7 milion qytetarë shqiptarë me të drejtë vote—gati gjysma e gjithë trupës zgjedhore. Megjithatë, pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte simbolike dhe shumë më e ulët nga potenciali real. Sistemi i regjistrimit u miratua dhe u vu në funksion me shumë vonesë, platforma teknologjike nuk funksionoi në mënyrë të qëndrueshme, dhe mungesa e një fushate informuese në kohë bëri që shumë qytetarë të mos regjistrohen.
Problemet nuk ndaluan me regjistrimin. Numërimi i votave të diasporës u shoqërua me kaos, vonesa të pajustifikuara dhe mosbesim të thellë. Pati njoftime për fletë votimi të humbura, mospërputhje në të dhëna, si dhe mospërputhje në protokollet e administrimit zgjedhor. Këto ngërçe teknike dhe organizative pasqyrojnë një dobësi serioze të institucioneve zgjedhore, që ende nuk janë të pavarura dhe profesionale. Më e rënda ishte se polarizimi ekstrem i politikës shqiptare e ka kthyer edhe administrimin teknik të votës në një fushëbetejë, duke dëmtuar besimin publik në procesin zgjedhor.
Edhe fushatat zgjedhore lanë shumë për të dëshiruar. Partitë i folën diasporës, por nuk e dëgjuan atë. Problemet reale të diasporës—të drejtat e pronës, politikat zhvilluese, shërbimet konsullore, apo përfaqësimi në institucionet shqiptare—u lanë në hije përballë sloganeve të zakonshme. Kjo tregon se klasa politike ende nuk e kupton mirë potencialin e vërtetë të shqiptarëve jashtë vendit. Në vend që të ndërtohet një dialog i sinqertë dhe i vazhdueshëm, diaspora u trajtua vetëm si një thes votash.
Në fund, shpërndarja e mandateve nxori në pah një problem që cënon demokracinë parlamentare në vend: kodin zgjedhor të padrejtë. Sistemi aktual favorizon në mënyrë disproporcionale dy partitë e mëdha, duke lënë jashtë forcat më të vogla, edhe pse këto të fundit morën mbështetje të konsiderueshme. Përdorimi i formulës D’Hondt me 12 zona zgjedhore shumëmandatëshe deformon përfaqësimin politik. Kjo çon në një pluralizëm të reduktuar, ku zëri i komuniteteve të ndryshme dhe ideve të reja mbetet i heshtur.
Çfarë duhet bërë tani?
Së pari, ruajtja e integritetit të votës së diasporës duhet të jetë një prioritet kryesor kombëtar. Procesi i regjistrimit dhe numërimit të votave duhet të jetë transparent, funksional dhe i mbrojtur nga çdo formë ndërhyrjeje politike apo teknike që mund të komprometojë rezultatin. Për këtë arsye, duhet investuar në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, në trajnimin e stafit zgjedhor, dhe në krijimin e mekanizmave të pavarur për monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare dhe shoqërinë civile.
Së dyti, ndryshimi i kodit zgjedhor është i domosdoshëm për të krijuar një sistem më përfaqësues dhe më të drejtë politik. Kodi aktual, i cili favorizon dy partitë e mëdha kufizon zhvillimin e pluralizmit dhe mbyll derën për forcat e reja politike që sjellin ide, energji dhe zëra të rinj. Një reformë e tillë duhet të synojë krijimin e hapësirave më të gjera për përfaqësim, duke përfshirë edhe mekanizma që inkurajojnë pjesëmarrjen e diasporës jo vetëm si votues, por edhe si aktorë politikë të plotë.
Së treti, diaspora duhet të fillojë të luaj një rol më aktiv në shoqërinë shqiptare dhe të organizohet politikisht. Ajo nuk mund të mbetet vetëm një burim votash ose remitancash, por duhet të njihet si një burim i rëndësishëm mendimi kritik, kapitali njerëzor dhe presioni qytetar për ndryshim. Shqiptarët jashtë vendit kanë përvojë dhe perspektiva të ndryshme që mund të pasurojnë debatet politike dhe të nxisin zgjidhje inovative për sfidat me të cilat përballet Shqipëria.
Për këtë, duhet të krijohen lëvizje politike që përfaqësojnë interesat dhe aspiratat e diasporës në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar që kapërcejnë ndarjet politike tradicionale dhe i japin diasporës një zë të përbashkët dhe efektiv. Këto lëvizje mund të funksionojnë si ura lidhëse midis komuniteteve shqiptare jashtë dhe brenda vendit. Lëvizjet politike që burojnë nga diaspora duhet të jenë të përqendruara në prodhimin e politikave të reja, ndërtimin e transparencës dhe krijimin e një fryme të re pjesëmarrjeje qytetare, ku politika shihet si shërbim publik dhe jo si burim përfitimi personal apo partiak.
Ky nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një epoke të re. Shqipëria nuk mbaron te kufijtë e saj gjeografikë. Ajo jeton në çdo cep të botës ku ka shqiptarë që kujdesen, kontribuojnë dhe kërkojnë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre.
*Medlir Mema është Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel. Ai është gjithashtu anëtar i bordit drejtues të lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë.”
(BalkanWeb)