Vetëm 6 minuta i mjaftuan Nedim Bajramit për ti shënuar Lazio, sigurisht në këtë kishin dorë edhe Hysaj e Strakosha që shkarkuan penallti, por ky është një diskutim më vete. Fakt është që Bajrami javë pas jave po rikthehet të bëjë liderin tek Empoli duke tërhequr gjithnjë e më shumë interesimin e klubeve të mëdha në Serie A.

Menjëherë pas atij takimi, mediat italiane shkruan për një interesim nga ana e Lazios, një lajm që me sa duket nuk është thjeshtë një thashethem pasi Igli Tare po përpilon ofertën e duhur për të joshur Empolin. Fakt është gjithashtu që Bajrami nuk pritet të ndryshojë skuadër gjatë merkatos së janarit, por Tare kërkon të jetë një hap përpara, për të blinduar fantazistin kuqezi i cili kërkohet edhe nga ekipi si Sassuolo dhe Cagliari.

Sipas La Gazzetta dello Sport, në ditët në vijim parashikohet një takim mes klubeve, Lazio dhe Empoli, për të gjetur formulën e duhur. Bajrami nuk e ka me nxitim të largohet nga Empoli, mbetet në pritje të ekipit të duhur dhe ofertës së duhur, Lazio për të do të ishte maksimumi në këtë pikë të karrierës.
(BalkaNWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb