Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës, duke e vlerësuar votimin në Kuvend si një zhvillim që shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Reuters raporton se Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota në Kuvend, pak para skadimit të afatit kushtetues. Sipas agjencisë, dështimi për zgjedhjen e një presidenti të ri do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Reuters ndalet edhe te tensionet e ditëve të fundit në Kosovë. Agjencia përmend protestat e së hënës, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve.

Zgjedhja e presidentes i jep fund një periudhe pasigurie institucionale, ndërsa Reuters vëren se presidenca në Kosovë është kryesisht një post ceremonial. Megjithatë, posti ka qenë shpesh burim i paqëndrueshmërisë politike, pasi zgjedhja e presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

Sipas Reuters, partitë politike në Kosovë kanë hasur vazhdimisht vështirësi për të arritur marrëveshje mbi një kandidat për president, duke e bërë procesin e zgjedhjes një pikë të rëndësishme të përplasjeve politike.

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës me 81 vota ka shmangur kështu skenarin e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të ishin zhvilluar nëse Kuvendi nuk do të arrinte të zgjidhte presidentin brenda afatit kushtetues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb