Gazeta Panorama.al publikon sot pjesë nga ditari i rrallë nga brenda procesit gjyqësor më misterioz të mbajtur në kohën e regjimit komunist, ku ish-shefi i Sigurisë në Bllok, Gani Kodra, njeriu më i afërt i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat se si u manipulua procesi për të dënuar ish-ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehun, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Peçinin, Llambi Ziçishtin dhe Xhavit Ismailagan.

VIJON NGA NUMRI KALUAR

Në bankën e të akuzuarve ishte dhe vetë Gani Kodra, i cili i është nënshtruar torturave të hetuesve për të pranuar akuzat se ishte pjesë e grupit kundërrevolucionar, të udhëhequr nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu që kishte si qëllim eliminimin e Enver Hoxhës.

Në numrin e kaluar Panorama.al publikoi ‘kurthin e ri’ që iu ngrit në gjyq, Kadri Habziut, ku truproja personale e Mehmet Shehu e akuzoi se ky i fundit kishte qenë në një takim sekret në vilen e kryeministrit, para se ky i fundit të vetëvritej.

Në akuzat e reja që u ngritën ndaj Kadri Habziut ishte përfshirja e bandës së Xhevdet Mustafës, e cila sipas hetuesve i kishte dhënë një mesazh sekret Mehmet Shehut, që ky i fundit pasi u zbulua se ishte agjent i amerikanëve, duhet të vetëvritej dhe t’ia kalonte detyrat ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Habziu.

Sipas Gani Kodrës për të konfirmuar këtë tezë, Enver Hoxha dhe Hekuran Isai kishin përgatitur truprojën e Mehmet Shehut, Ali Çenon për të dëshmuar rreth një takimi sekret të zhvilluar në vilën e Kryeministrit.

Në numrin e sotëm, Gazeta Panorama.al sjell përplasjen që ka patur në gjyq Kadri Habziu dhe Ali Çeno, ku sipas ish-ministrit ky i fundit po shpifte kundra tij për të shpëtuar jetën e fëmijëve dhe familjes.

ARRESTOHET ALI ÇENO DHE I BËHET PRESION PËR TË DËSHMUAR KUNDËR KADRIUT

Ali Çeno arrestohet pikërisht në muajin shtator të vitit 1982. Edhe ai, si gjithë të tjerët, u torturua barbarisht nga hetuesit si Sokol Koleka etj. Gjithë qëllimi, siç thashë, ishte që ai të dëshmonte ato gjëra që ishin përgatitur sipas skenarit të Enver Hoxhës për të akuzuar Kadri Hazbiun. Duhej të vërtetohej se ato që kishte thënë ai për Kadriun ishin të vërteta. Në procesin që grupi hetimor me në krye Hekuran Isain përpiloi për Ali Çenon, kushdo që do ta lexonte do ta besonte, pasi edhe këtu nuk mungonte fantazia e këtij njeriu që natë e ditë mendonte vetëm për të keqen. Sipas mendimit tim, Enver Hoxhën mund ta quaje “gjeniun e së keqes”, i pamëshirshëm dhe këmbëngulës në realizimin e asaj të keqeje që kishte përgatitur.

Gjatë gjithë zhvillimit të procesit hetimor grupi i hetuesve vuri në referimin e dëshmive ato gjëra që deshi vetë sipas qëllimit që kishte. Kështu edhe mbi Aliun, duke përdorur të gjitha torturat, e detyroi atë që të pranojë të gjitha versionet që i ishin shënuar në procesverbal. Nuk kishte rrugë tjetër nga gjithë ato tortura që kish te hequr. “Veç kësaj,-i thanë Aliut hetuesit, në qoftë se nuk pranoni të thoni këto që ke firmosur në proces për Kadriun, të këqijat më të mëdha për ty dhe fëmijët do të vijnë më vonë, prandaj duhet t’ia thuash në gjyq të tëra.

DËSHMIA E ALI ÇENOS, AKUZË PËR KADRI HAZBIUN

Në deponimet që Ali Çeno bëri në gjyq e akuzoi Kadriun për këto çështje: Më datën 17.12.1981, natën kur u vetëvra Mehmeti, në orën 22.30 vjen në shtëpinë e tij Kadriu. Ai nuk hyri nga porta kryesore, por u fut nga dera e kuzhinës, e cila ishte pas shtëpisë. Ngjiti shkallët, shkoi në studion ku punonte Mehmeti, qëndruan për pak kohë të dy vetëm dhe pastaj Kadriu iku. Aliu shtoi se “Kadriun e prita unë kur erdhi, po ashtu e përcolla kur iku nga dera e kuzhinës, të cilin nuk e pa njeri tjetër“.

Në këtë deponim të Ali Çenos kishte qenë qëllimi që të vërtetohej ajo që kishte thënë Enver Hoxha se pas mbledhjes së Byrosë Politike dhe pas takimit që Kadriu Hazbiu kishte bërë me një anëtar të bandës së Xhevdet Mustafës ishte nisur për në shtëpinë e Mehmetit.

Anëtari i bandës i paskësh dorëzuar një mesazh për Mehmetin nga zbulimi i huaj ku i thonin se është zbuluar veprimtaria e tij dhe për të shpëtuar shokët, ai, Mehmeti duhej të vriste veten dhe para kësaj të udhëzonte krahun e djathtë të tij, Kadriun, sesi duhej të vepronte në të ardhmen. Kjo paskësh qenë arsyeja që Kadriu, sipas tyre, paskësh shkuar natën e fundit në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Mehmetit. I paskësh dorëzuar mesazhin e ardhur, ka biseduar disa çaste me të dhe pas kësaj Mehmeti vrau veten.

REAGIMI I KADRIUT NDAJ ALI ÇENOS

Kadri Hazbiu, ndërsa fliste Ali Çeno për ato që ishte instruktuar nga hetuesit, dëgjoi me gjak ftohtësi pa bërë as më të voglën lëvizje. Pastaj, kur mbaroi Aliu, ai u çua në këmbë dhe filloi të sqarojë trupin gjykues për akuzën që kishte bërë Aliu se natën që kishte vdekur Mehmeti ai kishte qenë në orën 22.30 në shtëpinë e tij.

*
Kadriu e hodhi poshtë këtë akuzë duke thënë: Unë nuk kam qenë fare në shtëpinë e Mehmetit, pasi atë natë që nga ora 20.30 dhe deri mbas mesit të natës unë kam qenë i ftuar për darkë në shtëpinë e sekretares sime, pasi i shoqi i saj, që është oficer, kishte ditëlindjen. Prandaj ajo që më akuzon ti Ali nuk qëndron dhe është e sajuar. Në këtë rast Aliu, porosisë dhe frikës që kishte për jetën e tij dhe të fëmijëve, i përgjigjet me shumë nervozitet Kadriut, duke thënë se “unë nuk gënjej, ti ke ardhur atë natë në orën 22.30 në shtëpinë e Mehmetit. Të kam pritur e përcjellë unë, prandaj ti duhet ta pranosh e jo të gënjesh”.

Kadriu me shumë gjakftohtësi iu përgjigj: “Dëgjo Ali, ti je i ri dhe po lufton me shpirt që të mbrosh jetën dhe për këtë nuk të vë faj, sepse fajin e kanë ata që të kanë mësuar keq, se ti duke qenë i ndershëm, duan të të bëjnë të pandershëm duke sajuar gjëra që nuk qëndrojnë. Edhe njëherë po të them Ali Çeno, se të kam njohur dhe të njoh për njeri të ndershëm, por të them kij kujdes nga të pandershmit që të kanë mësuar keq.”

* * *

Në fakt këtë akuzë që i bënte Ali Çeno Kadri Hazbiut sikur ky kishte pritur dhe përcjellë Kadriun në shtëpinë e Mehmet Shehut me datën 17.12.1981, ora 22.30 nga porta e pasme e shtëpisë nuk qëndron fare, por ishte një trillim i përgatitur. E vërteta është se Ali Çeno në orën 22.30 nuk ka qenë fare në shtëpinë e Mehmetit. Këtë do të mundohem ta sqaroj më poshtë, sipas thënieve të oficerëve të shërbimit të Mehmetit që ishin atë natë aty me shërbim…

Xhevdet Mustafa1
Xhevdet Mustafa1

BANDA E XHEVDET MUSTAFËS, NJË HISTORI PËR TË NGRITUR AKUZA

Sipas Enver Hoxhës, të gjitha grupet armiqësore që kishin dalë në kulturë, ushtri, ekonomi etj.. kishte organizuar dhe drejtuar Mehmet Shehu. Për të vërtetuar këtë tezë të Enver Hoxhës u vazhdua më tej në akuzat ndaj Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut duke sajuar, paragjykuar dhe improvizuar histori dhe ngjarje të ndryshme. Një ndër to ishte ajo që bënte fjalë për lidhjen e ngjarjes së ardhjes së bandës së Xhevdet Mustafës dhe vdekjes së Mehmet Shehut.

Për atë u aludua se ajo bandë erdhi pasi u kuptuta nga zbulimi i huaj se Mehmet Shehu ishte zbuluar dhe demaskuar nga partia. Qëllimi i krerëve të zbulimit të huaj nëpërmjet dërgimit të asaj bande, e cila u hodh diversionisht në Shqipëri, ishte që të merrnin direkt kontakt me Kadri Hazbiun, për t’i dorëzuar atij një mesazh për t’ia dhënë personalisht Mehmet Shehut. Sipas këtij mesazhi, ai duhej patjetër të vriste veten për të ruajtur të tjerët që të vazhdonin punën pas tij dhe kryesisht të ruante Kadri Hazbiun, i cili, sipas tyre, ishte kryesori.
*
Për të vërtetuar këtë akuzë ndaj Kadri Hazbiut dhe për ta nxjerrë atë si krahun e djathtë të Mehmet Shehut, si dhe për të skenuar mënyrën se si ky kishte dorëzuar mesazhin te Mehmeti, u përdorën shumë dëshmitarë, nga cilët më kryesorët ishin: të Ali Çenos i cili ishte shoqëruesi personal dhe komandant i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Halit Barjami, pjesëtar i bandës së Xhevdet Mustafës, i cili kishte mbetur i gjallë i pa eliminuar gjatë ndjekjes që iu bë kësaj bande.

Kjo, sipas meje, kishte arsyet e veta për të mos e eliminuar. Për bandën e Xhevdet Mustafës do të flas më gjerë në një pikë të veçantë, me aq sa di unë, pasi ardhja e kësaj bande në këtë periudhë e ka pasur një qëllim shumë djallëor, me një plan të menduar mirë nga Enver Hoxha dhe rrethi i tij kryesor. “Dëshmitarë”- të tjerë ishin shoferi personal i Kadriut, radisti dhe sekretarja e tij me bashkëshortin, të cilët lexonin deponimet që ua kishin shkruar hetuesit. Këta me paturpësinë më të madhe i lexonin këto gënjeshtra pa shmangur asnjë presje.

vijon nesër

Çfarë keni lexuar në numrat e mëparshëm të këtyre dëshmive

Në fillim të vitit 1982, kur kishte pak kohë që kishte vdekur Mehmet Shehu, arrestohen njerëzit që kishin punuar më afër tij. Mes tyre arrestohet Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Llambi Ziçishti dhe Xhavit Ismailaga.

Të gjithë këta u renditën në të njëjtën bankë të akuzuarish si tradhtarë të partisë dhe të popullit duke shërbyer si agjentë të zbulimeve të huaja. Procesi ndaj tyre u zhvillua në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Kryetar i procesit ishte vetë kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe prokuror ishte vetë prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino.

Hekuran Isai, sipas urdhrit, detyrohej të rrinte çdo natë në ambientet e burgut për të ndjekur hetimet dhe në mëngjes paraqitej te Enver Hoxha, që kishte shkuar për pushime në Vlorë, për të dhënë shpjegime. Kundër Kadriut në atë gjyq doli Mihallaq Ziçishti dhe Nesti Kerenxhi, të cilët, sipas porosive, pranuan se kishin qenë agjentë dhe që kishin patur në grupin e tyre edhe Kadri Hazbiun.

Megjithëse tejet i torturuar Kadriu iu kundërpërgjigj të dyve atyre jo vetëm duke argumentuar të kundërtën, por edhe duke i ofenduar./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb