TIRANE- Pas shumë diskutimesh, ligji për ‘masat shtesë të sigurisë publike’, i cili u kthye me dekret nga presidenti Bujar Nishani, ka gjetur dakordësinë mes negociatorëve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Mësohet se në takimin që u zhvillua për pak minuta në Kryesinë e Kuvendit morën pjesë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputeti i Komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj, kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Bëhet e ditur se ‘Ligji për sigurinë’ nuk do të votohet nesër në parlament, pasi ndryshimet do të kërkojnë edhe disa ditë kohë.

Ligji për kamerat publike, mjaft i kundërshtuar, do të diskutohet gjatë seancës së të enjtes në Parlament. Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim e kanë kundërshtuar pr/ligjin në fjalë për shkak të kostove të mëdha.

Sakaq, Pr/ligji parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë në shkolla, lokale nate, transport publik, taksi, qendra tregtare, pallate, biznese, pikat e shitjes së karburantit e të tjera. Përmes këtij ligji, Ministria e Brendshme synon të rrisë efektivitetin në parandalimin e veprave të ndryshme penale dhe një pikë e rëndësishme në këtë pjesë janë kamerat e sigurisë si një detyrim për ambientet e parashikuara në këtë projektligj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb