Eduard Prodani, kandidati për kryetar i Shoqatës Rajonale të Tiranës, ka deklaruar në “Sport News Plus” se gara vazhdon të jetë shumë e paragjykuar për shkak të rrethanave. Ai tregoi se pse po mundohet që të vërë në jetë Shoqatën e Tiranës me kandidimin e tij, në një garë ku ende nuk ka të qartë se kush voton e cilët janë delegatët.

“Zhurma është e madhe për shkak të një reforme. Shoqatat rajonale kanë shumë peshë elektorale, 26 vota nga 8 që kishin. E kam thënë që është një skemë disi e çuditshme se ti japësh kaq peshë shoqatave, ata e meritojnë këtë peshe se duhej të ishin këto që mbanin, por këto vite që janë krijuar nuk ushtrojnë aktivitet.

Pra që në shoqata fiktive pa aktivitet, të marrësh 26 vota, se dihet që votat e mëparshme kanë shkuar te drejtuesit e kandidatët e FSHF-së, kjo do të thotë edhe me 2 vota del president. Kjo ka shkaktuar presion, komuniteti i futbollit është zgjuar.

Unë kandidoj për pozicionin e presidentit të Shoqatës Rajonale Tiranë. Këtë kandidim e kam pranuar si një detyrë shoqërore, për mua nuk është rritje në karrierë, por shpresoj ta fitoj që me punë që po bëj atje jo vetëm t’i jap hov punës në organizimin e futbollit në rajon. Por të jap shembull se si duhet bërë për të gjithë Shqipërinë.

Unë vendosa të kandidoj pasi mora kontaktet me kryetarin e bashkisë, ku duhet të operojë Shoqata Rajonale e Tiranës për bashkëpunim. Unë e di që Krenar Alimehmeti është kandidat por askush nuk ka ka informuar realisht, apo kush janë delegatët.

Unë nesër votoj dhe nuk e di se kush voton, pastaj shoqata nuk ka as komision votimi, asnjë gjë tjetër, është katrahurë. Shoqatat nuk kanë punonjës, por punonjës të FSHF, kanë bërë fushatë, kanë marrë firma, kanë bërë premtime. Qëllimet kanë qenë që të okupohet hapësira dhe të gjithë propozimet të mbusheshin, për fat kishin mbetur 3-4 shoqata që u krijua hapësirë.

Kjo e politikës në futboll është një mit, presidenti aktual i Federatës është propozuar nga politika, rizgjehdur nga politika dhe është mbështetur nga politika.

Unë nuk flas për kohën që kam qenë atje se nuk e kam për natyre të them atëherë gjërat ishin mirë e tani jo kjo nuk ka rëndësi. Por duke njohur mirë sistemin e menaxhimit të futbollit, unë mund të them që performanca e FSHF-së është shumë larg asaj që duhet të ishte. Ky është mendimi im.

Unë nuk kandidoj për FSHF por për shoqatën rajonale, 24 orë pas zgjedhjeve dua që ta sjell në jetë. Shoqatat Rajonale do të thotë federatë rajonale, por është bashkim i subjekteve të futbollit që organizojnë garën vetë dhe menaxhojnë vetë të ardhurat e tyre se futbolli i bazës është braktisur në mënyrë të frikshme.

Asnjëherë nuk janë gjithë gjerat e mira dhe gjitha të zeza. Ka të mira dhe të këqija, rezultat sportive nuk kanë të bëjnë me rolin e presidentit, se po ta gjykonim, ne kemi pasur vetëm dy sezone rezultate pozitive dhe nja 10-12 të tjera ku kemi pasur katastrofa. I binte që të kishte ikur që atëherë, nuk e përcaktojë ato, puna e presidentit ka të bëjë me zhvillimin sasior e cilësor të futbollit.

Në katër vitet e fundit janë shpenzuar nga FSHF 50 milionë euro për tre-katër projekte të mëdha, e dini çfarë do të bëhej me 50 milionë euro po të investoheshin në futboll?

Për federatën do ta shikojmë, sistemi është i mbyllur, nuk të lejon të kandidosh. Veprohet me standarte të dyfishta, katër vite më parë u diskutua që shoqatat nuk ishin të regjistruara e votuan, ndodh vetëm në Shqipëri. Drejtuesit aktual duan 100%, duan të gjithë pozicionet, asnjë zë kundër, Shqipëria as republikë bananesh nuk është kështu”, – tha Prodani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb