Kryebashkiaku i Newark, qyteti më i madh i New Jersey-, i cili është gjithashtu kandidat për guvernator të shtetit me Partinë Demokratike, u arrestua nga agjentët federalë gjatë një proteste në një qendër paraburgimi për imigrantë, pas një konfrontimi ku përfshiheshin edhe tre anëtarë të Kongresit të cilët po kërkonin t’u bëhej një vizitë në objekt.
Nuk është e qartë nëse kryebashkiaku Ras Baraka është arrestuar zyrtarisht, dhe as nuk dihet vendndodhja e tij, pasi u prangos nga policia. Sipas Politico, Alina Khaba, një këshilltare e Presidentit Donald Trump, e cila shërben gjithashtu si prokurore e përgjithshme e New Jersey-t, konfirmoi se Baraka u arrestua.
Kjo ngjarje ishte paraprirë nga një skenë kaotike në parkingun e qendrës së paraburgimit, ku ishin përfshirë protestues, agjentë federalë dhe tre anëtarë të Kongresit (Përfaqësuesit Bonnie Watson Coleman, Rob Menendez dhe LaMonica McIver) në Delaney Hall.
Ky objekt, me një kapacitet prej 100 shtretërish, u rihap këtë muaj për të strehuar emigrantët e ndaluar. Bashkia ka paditur kompaninë private që menaxhon objektet, GEO Group, duke pretenduar se nuk i është nënshtruar inspektimeve të nevojshme dhe as nuk ka leje. GEO Group e mohon këtë.
“Kryebashkiaku i Newark-ut, Russ Baraka, hyri pa leje dhe injoroi paralajmërimet e shumta nga agjentët e Sigurisë Kombëtare për t’u larguar nga qendra e paraburgimit e ICE-së në Newark, New Jersey këtë pasdite.” Ai zgjodhi të injoronte vullnetarisht ligjin. Kjo nuk do të tolerohet në këtë shtet. Ai u mor në paraburgim. “Askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Alina Khaba në një postim në platformën X.
Konfrontimi filloi pasi Barakës fillimisht iu lejua të hynte në parkingun e rrethuar të objektit, por më pas iu tha të largohej. Tre deputetët ishin tashmë brenda ndërtesës dhe dolën jashtë, ndërsa autoritetet kërcënonin të arrestonin kryetarin e bashkisë dhe kandidatin për guvernator.
(A.A/BalkanWeb)