Kapiteni i Izraelit, Eran Zahani, një nga lojtarët nga i cili pritet shumë nga kampi kundërshtar, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, u shpreh se ekipi i tij do të hyjë në fushë për të fituar, edhe pse normalisht nuk do të jetë aspak e lehtë për ta.

Sipas tij, nuk ka shumë rëndësi kush shënon në këtë ndeshje, pasi e rëndësishme është që skuadra të marrë rezultatin.

“Ne do të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin si në çdo ndeshje dhe e respektojmë kundërshtarin. Të dyja ekipet janë me pikë të barabarta dhe kuptohet që nuk do të jetë e lehtë për ne, ashtu edhe për ta. Nuk ka shumë rëndësi se ku do luaj unë në krah apo qendër, por i rëndësishëm është rezultati. Në aspektin personal nuk ka rëndësi nëse shënoj apo jo, rëndësi ka të merret rezultati”, u shpreh fillimisht mesfushori izraelit.

Më tej, në lidhje me gjithë këto masa sigurie dhe për faktin që kanë qëndruar vetëm në hotel, ai u përgjigj: “Jemi mësuar me të tilla situata dhe në fund të fundit siguria do të bëjë punën e saj. Ne kemi ardhur për të luajtur futboll dhe kjo është më e rëndësishmja. Fakti që kemi qëndruar gjatë gjithë kohës në hotel nuk na bën shumë përshtypje, sepse nuk është hera e parë që ndodhemi në këtë situatë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: