Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Katarian, Sheikh Muhammad Abdurrahman Al Thani, deklaroi të hënën se vendi i tij i mbështet përpjekjet humanitare për evakuimin e personave nga Afganistani, duke theksuar se Katari nuk ka asnjë ndikim te talibanët, por është vetëm ndërmjetësues midis palëve në konflikt atje.

Në një intervistë për kanalin amerikan “Fox News”, Al Thani nënvizoi rolin unik që po luan Shteti i Katarit në operacionet e evakuimit nga Afganistani, duke kontribuar në largimin e qytetarëve jo vetëm të huaj por edhe afganë nga Kabuli, dhe transportimin e sigurt të tyre drejt vendeve të veta ose vendeve të treta. Numri i personave të evakuuar me ndihmën e Katarit ka arritur rreth 7000 deri ditën e hënë dhe pritet të shtohet ndjeshëm gjatë operacioneve në vijim, me destinacion vendet e tyre, ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në vende të treta.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarit Xhon Skot të Fox News, rreth rolit që luan Katari për të ndihmuar njerëzit që të kenë akses në aeroportin e Kabulit për t’u larguar nga vendi, Ministri i Jashtëm Katarian sqaroi se vendit të tij i është kërkuar me kohë që të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe talibanëve, si dhe midis talibanëve dhe qeverisë afgane. Ai theksoi se Katari mbetet ndërmjetësues i paanshëm dhe komunikon me të gjitha palët. Në këtë pozicion ai ka patur mundësinë të mbështesë e ndihmojë nënshtetasit e ndryshëm rezidentë në Afganistan dhe tashmë të lehtësojë edhe kalimin dhe transportin e tyre drejt aeroportit.

“Ambasada jonë në Kabul është angazhuar në këtë proces dhe mbajmë përgjegjësi për transportin e disa prej pjesëtarëve të stafeve të medias dhe arsimit. Mbajmë përgjegjësi të plotë për dërgimin e tyre në aeroport dhe sigurinë e tyre gjatë rrugës. Gjithashtu, mundohemi të lehtësojmë aksesin e shteteve të tjera që nuk kanë mundësi të arriijnë te nënshtetasit e tyre. Bëjmë maksimumin tonë për të ndihmuar njerëzit që dëshirojnë të largohen nga Kabuli.” – tha Ministri i Jashtëm Katarian, duke deklaruar se vështirësitë janë të shumë mëdha për shkak të situatës ende të pastabilizuar dhe sfidave të ndryshme nga ana e sigurisë dhe logjistikës.

Ndërsa falënderoi zyrtarin e lartë katarian për ndihmën e Katarit në nxjerrjen e reporterit të Fox News-it, Tray Engist nga Afganistani në kushte të plota sigurie, gazetari Skot pyeti se çfarë duhet të dijë populli amerikan rreth asaj që po ndodh aktualisht në Afganistan? Në përgjigje Al Thani tha se është e rëndësishme të kuptohet që Afganistani ka kaluar nëpër luftëra dhe konflikte të ndryshme të jashtme dhe civile, deri tek ndërhyrja e trupave amerikane dhe aleatëve të tyre në vitin 2001, duke vazhduar më pas konflikti me lëvizjen talibane. Sipas tij, kjo bën bën që të mos ketë pritshmëri për të arritur një stabilizim të shpejtë të situatës në Afganistan, prandaj është e domosdoshme një gërshetim i përpjekjeve ndërkombëtare në këtë drejtim.

Ai nënvizoi rëndësinë e unifikimit të komunitetit ndërkombëtar për të nxitur talibanët të angazhohen me palët e tjera për të pasur një kalim paqësor të pushtetit dhe një lloj ndarjeje të tij, për të garantuar përfaqësimin e të gjithëve dhe mbrojtur të drejtat themelore të popullit afgan. Në këtë kontekst, Sheikh Al Thani theksoi se Katari i bën thirrje Lëvizjes Talibane t’i përmbahet këtij procesi, dhe ftoi edhe shtetet e tjera që t’ua kërkojnë këtë gjë talibanëve.

Nga ana tjetër, Sheikh Mohammad Al Thani theksoi se Katari nuk ka një ndikim tek talibanët, përndryshe ai do të kishte mundësi të arrinte një marrëveshje paqeje midis tyre dhe qeverisë afgane.

“Ne komunikojmë me ta dhe i nxisim të mbrojnë popullin, nënshtetasit e huaj dhe përfaqësitë diplomatike e të mos keqtrajtojnë njeri. Kemi parë se disa deklarata zyrtare nga ana e tyre nënvizojnë mbrojtjen e nënshtetasve të huaj. Ne e ndjekim situatën nga afër dhe nuk kemi marrë deri tani asnjë raportim që nënshtetasit e huaj të jenë gjendur para ndonjë krizë të madhe atje. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe që talibanët të sillen në një mënyrë që i dëshmon botës se do të jetë e mundur të bisedohet me ta.” – tha ai.

Në fund të intervistës, moderatori Skot Xhon i theksoi edhe një herë Zv. Kryministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Mohammad Abdurrahman Al Thani, mirënjohjen e SHBA-ve për përpjekjet e bëra nga Shteti i Katarit në Afganistan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb