Separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, kanë caktuar datën 15 gusht si datë për gjykimin e pesë të huajve të akuzuar se iu bashkuan forcave të armatosura ukrainase si mercenarë.

Udhëheqësit e asaj që separatistët e quajnë Republika Popullore e Donjeckut (DNR) thanë më 12 gusht se Matias Gustavsson i Suedisë, Vjekoslav Prebeg i Kroacisë dhe britanikët John Harding, Andrew Hill dhe Dylan Healy do të përballen me gjyq.

Sipas separatistëve, të pesë personat akuzohen si mercenarë, përgatitje për aktivitete terroriste dhe kryerjen e aktiviteteve me qëllim marrjen e pushtetit.

Nëse shpallen fajtorë, burrat mund të përballen me dënimin me vdekje. Muajin e kaluar, ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe e dënoi atë që e quajti “shfrytëzimin” e të burgosurve të luftës dhe civilëve për qëllime politike pas kapjes së Healy dhe Hill.

Një tjetër britanik, Paul Ury, i cili u kap së bashku me Healy dhe Hill, vdiq në korrik ndërsa ishte në paraburgim të separatistëve.Në fillim të qershorit, dy britanikë të tjerë: Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe një shtetas maroken, Saaudun Brahim, u dënuan me vdekje nga separatistët për “veprimtari mercenare”.

Të tre thonë se po shërbenin në ushtrinë ukrainase kur u kapën nga separatistët pro-rusë derisa luftonin me forcat ruse.

Britania, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania kanë dënuar dënimet me vdekje të dhëna ndaj ushtarëve që luftuan në krah të ushtrisë ukrainase./REL