TIRANE– Katër artistë të njohur Helidon Haliti, Kreshnik Xhiku, Erzen Shkololli dhe Artur Çela kanë kandidatura për postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kandidimi i tyre u bë, pasi Ministria e Kulturës shpalli më 3 tetor konkursin për drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, pas mbarimit të mandatit katërvjeçar të drejtorit aktual Artan Shabani.

Artan Shabani ka zgjedhur të mos rikandidojë sërish në postin drejtues. Ndërsa afati për aplikim është mbyllur më 16 tetor, shihet se kandidatët që garojnë për drejtorin e Galerisë Kombëtare kanë një karrierë të pasur artistike.

Helidon Haliti, është një nga piktorët më të talentuar të pas viteve ’90. Së fundmi ka qenë organizator i Bienales së Akuarelit në Tiranë.

Kandidati tjetër Kreshnik Xhiku, skulptor ka drejtuar fakultetin e Arteve Pamore për disa vite dhe ka qenë edhe dekan i Universitetit të Arteve në vitet ‘96. Njihet si autor i disa veprave monumentale.

Ndërsa Erzen Shkololli, artisti kosovar është bërë i njohur si autor e kurator i ekspozitave dhe bienaleve ndërkombëtare.

Artur Çela ka qenë skulptor që ka emigruar prej vitesh ne Itali dhe është rikthyer në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: