Pa hyrë gjatë në historinë e së majtës shqiptare të themeluar me 8 nëntor 1941 nga emisarët jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, PKSH që në fillimet e veta do të ravijëzohej si një parti me karakter të theksuar terrorist (sot ka dokumente origjinale bazuar në arkivat e kohës, që e vërtetojnë më së miri këtë hipotezë). Kjo do të pranohej edhe nga vetë Enver Hoxha në autokritikën që do të mbante në Plenumin e Beratit, në tetor të vitit 1944. Me përfundimin e luftës dhe marrjen e pushtetit, PKSH do ta shndërronte krimin në një platformë qeverisëse për 46 për vite me radhë, deri me 8 dhjetor 1990, kur do të fillonte edhe lëvizja studentore, që do të shënonte edhe fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtë strategji të krimit e pohoi hapur edhe Ramiz Alia në dhjetorin ’90, që “me gjak e kemi fituar dhe mbajtur pushtetin dhe me gjak do ta mbrojmë përsëri”. Në periudhën transitore, deri në vitin 1997, grupi i intelektualëve dhe i të rinjve që do të drejtonte PSnë do të bënte transformimin jo të lehtë të PPSH-së në PSSH. Mirëpo, në vitin e mbrapshtë 1997, e majta shqiptare (e përfaqësuar në atë kohë kryesisht nga aleanca PS-PSD) do t’i rikthehej zakonit të vjetër të lidhjes me krimin. Për të ardhur me çdo kusht dhe me çdo mjet në pushtet, e majta do të bëhej kokë e këmbë me krimin, me bandat kriminale dhe me elementët më kriminalë që do të iknin nga burgjet pas rënies së shtetit. Ka një postulat që, “po erdhe në pushtet me banda, me banda do qeverisësh” dhe kështu ndodhi me të majtën, e cila fatkeqësisht pati një difuzion të elementëve kriminalë në administratën publike, përfshirë Ministrinë e Brendshme dhe sidomos komisariatet e Policisë, që shpeshherë u shndërruan në banda me uniformë, që “luftonin” për larje hesapesh me bandat e tjera pa uniformë. Në vitin 2005, me ardhjen e PD-së në pushtet, u goditën me dhjetëra banda apo grupe kriminale dhe përfunduan prapa hekurave të drejtësisë rreth një mijë kriminelë, që kishin bërë ligjin që nga viti 1997. Vitet kaluan dhe e majta me emrin rilindje erdhi në pushtet në vitin 2103 dhe siç tregoi koha, erdhi në pushtet nga aleanca me krimin e organizuar, siç bëri edhe në vitin 2017. Dosjet e manipulimit të zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës, publikuar edhe nga “Bild”, e treguan më së miri këtë lidhje të politikës së rilindjes me krimin. Fatkeqësisht, qeverisja e Rilindjes, si ajo qendrore dhe ajo vendore, është e ndërthurur me një mijë e një fije me krimin, me grupet e strukturuara kriminale, me trafikantët, për të përfunduar me horrat dhe hajdutët ordinerë të lagjeve. Duke filluar që nga maja e piramidës së pushtetit dhe deri në bazë, drejtues të pushtetit, ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të përgjithshëm, drejtorë drejtorish, kryeinspektorë, inspektorë etj., etj., janë të lidhur direkt apo indirekt me botën e krimit dhe kjo gjë është e shkruar në të gjitha raportet ndërkombëtare. Sa për ilustrim, po t’i referohemi vetëm Parlamentit, nuk kishte bërë vaki ndonjëherë që në tempullin e demokracisë të ulen deputetë me rekorde kriminale si në kohën e Rilindjes. Po ashtu, nuk kishte bërë vaki që kryetarët e bashkive të bien një e nga një në rrjetën e drejtësisë, për arsye të aktivitetit të tyre kriminal, siç po bien kryebashkiakët e Rilindjes së 30 qershorit. Siç theksohet edhe në raportin e DASH-it, Shqipëria është shndërruar në vend prodhues dhe tranzit për kanabisin dhe drogat e rënda dhe janë miliarda euro që pastrohen në Shqipëri, kryesisht në industrinë e ndërtimit, industri që komandohet dhe menaxhohet po nga Rilindja. Edhe reportazhet e fundit të mediave italiane raportojnë rritjen e prodhimit të kanabisit me dhjetëra herë. Vjedhjet dhe shpërdorimet me tenderët dhe koncesionet (rreth 200 PPP) kapin shifrën e frikshme të rreth 3.2 miliardë eurove, ndërsa KLSH-ja ka raportuar shifra alarmante prej qindra milionë eurosh dëmi ekonomik, të shkaktuar nga korrupsioni dhe abuzimi i administratës publike. Sot Shqipëria është i vetmi vend në botë, në të cilin, me buxhetin e shtetit ndërtohet autostrada në fushë (rrugë pothuajse e gatshme) me një kosto 24 milionë euro për km. Në Shqipëri, prej vitesh mungon gara në prokurime. Në 7 vitet e fundit nuk është përfunduar asnjë nga veprat publike në proces e sipër dhe nuk është nisur asnjë vepër e re. Në këto vite të pushtetit të Rilindjes, asnjë investitor serioz i huaj nuk ka investuar në Shqipëri, përkundrazi janë larguar nga vendi edhe investitorë të fuqishëm në fushën e turizmit, energjisë etj., që do të mund të investonin miliarda euro në vend. Në këto kushte, kur është mëse e qartë për çdo shqiptar dhe ndërkombëtar lidhja e politikës së Rilindjes me krimin, Kryeministri pas 7 vitesh qeverisjeje të tmerrshme, lançon “luftën kundër krimit dhe korrupsionit” nën emblemën e luftës kundër “KÇK-së”!? E kush e beson këtë mashtrim të radhës? Ku ishe 7 vjet ore zotëri, kush të pengoi të luftoje krimin dhe korrupsionin dhe jo vetëm që s’e luftove, por krimi dhe korrupsioni lulëzuan duke u futur në Parlament, nëpër bashki dhe në çdo qelizë të shtetit!? Kuptohet që kjo pseudo-nismë është vetëm fasadë, pasi, nëse Kryeministri ka edhe vullnetin më të vogël, le ta fillojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit nga vetja, nga ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive dhe oligarkët që marrin miliarda nga buxheti i shtetit me PPP apo tenderë korruptivë, ndërkohë që janë edhe evazorët më të mëdhenj fiskalë në vend. Edhe akti normativ që është miratuar është vetëm fasadë dhe presion, pasi, edhe sikur të dojë sadopak, s’do të ketë kohë për ta implementuar, sepse është në fund të ciklit të tij politik. Ky akt thjesht butaforik bie ndesh me një sërë ligjesh, aq më tepër që dublon edhe pushtetin e drejtësisë, prokuroritë e gjykatat dhe konkretisht, SPAK dhe BKH. Sa për kujtesë dhe histori, mentaliteti “kap ça t’kapësh”, për të gjithë ata që kanë punuar në administratën publike, e kujtojnë se zuri vend fill pas ardhjes së të majtës në pushtet në vitin 1997. Ata që erdhën në pushtet me dhunë iu sulën tenderëve dhe pronave publike me idenë “kap ça t’kapësh”, se sot jemi dhe nesër s’do të jemi dhe sa për kujtesë, Kryeministri aktual në atë kohë ishte ministër Kulture. Është pikërisht viti 1998, kur ndryshohet edhe ligji për ndërtimet, që solli edhe masakrën urbane në Shqipëri, pasi dhënia e lejeve të ndërtimit iu kalua për kompetencë rreth 400 bashkive dhe komunave në vend dhe dihen rezultatet se si përfunduan rrethinat e Tiranës, bregdeti i Durrësit dhe Kavajës dhe i gjithë territori në përgjithësi. Nga modeli qeverisës “kap ça t’kapësh”, shqiptarët po largohen në mënyrë të frikshme nga vendi. Për 7 vjet keqqeverisje, rreth 600.000 qytetarë shqiptarë janë larguar nga vendi. Përveç këtyre, “KÇK-ja politike” arriti të bllokojë për tri vite me radhë hapjen e negociatave me BE-në dhe se nga viti 2018 në vitin 2020 nuk u plotësua asnjë nga kushtet e vendosura nga Këshilli i Ministrave të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë. “KÇKja politike” detyroi vende themeluese të BEsë të kërkojnë për herë të parë rikthimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë për asnjë prej dhjetëra vendeve që gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në. “KÇK-ja politike” po liron çdo ditë kontingjente të botës së krimit, sepse do t’i mobilizojë për zgjedhjet e radhës. “KÇK-ja politike” bërtet gjithë ditën kapeni “KÇK-në tjetër”, por a mundet që “KÇK-ja politike”, që vjedh 24 orë në 24 orë prej 7 vitesh, të kapë vetveten? Përderisa s’e ka bërë deri tani, s’mund ta bëjë edhe në ditët e fundit që i kanë mbetur në pushtet. Tani, edhe nëse do të ndahet “KÇK-ja politike” nga krimi, është krimi që e ka marrë peng dhe nuk e lëshon. Përfundimisht dhe fatkeqësisht, Rilindja nuk i ndahet dot botës së krimit, qoftë si traditë, si kompleks, si frustrim, si inferioritet dhe frikë e lidershipit të Rilindjes ndaj krimit dhe në fund, edhe si realitet i hidhur dhe si model politik. Ndarjen e politikës me krimin e ka për mision që ta bëjë PD-ja në 100 ditët e para të qeverisjes së saj, siç e ka bërë në vitin 1992 dhe në vitin 2005.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: