Analisti Fatos Lubonja ka komentuar ashpër rezolutën e përbashkët të votuar nga mazhoranca dhe opozita për integrimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi vazhdon të mbetet një “narko-shtet” dhe shumë larg standardeve të European Union.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Lubonja u shpreh se integrimi nuk duhet parë vetëm si çështje gjeopolitike, por si proces që duhet të garantojë demokraci funksionale, siguri dhe shtet ligjor për qytetarët shqiptarë.

“Ka gjëra më të rëndësishme se integrimi, si pastrimi i narko-shtetit. Se i duhet Europës për gjeopolitikë kjo nuk më intereson shumë. Mua më intereson të jetojmë në një shtet të sigurt dhe demokratik”, deklaroi ai.

Lubonja kritikoi edhe opozitën, duke thënë se po vepron me “dy standarde”, pasi nga njëra anë denoncon qeverinë për korrupsion dhe kapje të shtetit, ndërsa nga ana tjetër bashkohet me mazhorancën për rezoluta që lidhen me integrimin europian.

Sipas tij, në politikën shqiptare ekziston një “kompleks ndaj perëndimorëve”, ku çdo kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë pranohet pa reflektim kritik.

Analisti solli në vëmendje edhe marrëveshjen për kampet e emigrantëve, duke ironizuar pretendimet se Shqipëria po ecën drejt standardeve europiane.

“Ose Shqipëria është standard europian dhe futet në BE në 2030, ose përdoret si vend për të mbajtur emigrantët që Italia nuk i do”, u shpreh ai.

Lubonja kritikoi gjithashtu gjendjen infrastrukturore dhe ekonomike të vendit, duke thënë se qytetarët vijojnë të përballen me mungesë uji dhe probleme bazike, ndërsa ndërtimet dhe betonizimi shtohen çdo vit.

“Këtu ka 30 vjet pa ujë dhe ngrihet betoni si në Nju Jork. Pse duhet të hyjmë në Europë me këtë gjendje?”, deklaroi analisti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb