Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, sqaroi vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të hequr orën policore natën e ndërrimit të viteve. Rakacolli u shpreh se ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktiviteteve, por me lirimin e lëvizshmërisë së njerëzve gjatë asaj nate.

“Ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktivitetit, por me lirimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë asaj nate. Do të jenë të lejuara sipas të gjitha përcaktimeve që janë bërë me kohë, lidhur me standardin e grumbullimit dhe kapacitet. Ora policore nuk ka lidhje me këtë”, u shpreh Rakacolli.

Më tej, ajo foli dhe për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të rikonstruktuar Spitalin Infektiv, duke theksuar se të gjithë pacientët me koronavirus do të marrin shërbimin te Spitali Covid 3. Sipas saj, Ministria ka gati të gjithë skenarët për struktura të tjera, nëse do të ketë numër të lartë shtrimesh në spital nga Covid-i.

“Në kuadrin e përmirësimit të strukturave tona shëndetësore dhe rritjen e standardeve, në program të qeverisë është edhe rikonstruksioni i Spitalit Infektiv, që është një godinë gati gjysmëshekullore. Është menduar mirë dhe është organizuar mirë, që njerëzve që kanë nevojë, sidomos ata që vuajnë me Covid dhe trajtohen në Spitalin Infektiv, do jenë për momentin në Spitalin Covid 3. I kemi bërë skenarët gati, që nëse do kemi shtrime më shumë, do të ketë struktura të tjera për këta pacientë. Urgjencat kirurgjikale nuk do të ofrohen në ambientet e QSUT, për një periudhë, por do të ofrohen në dy spitale të tjera universitare, Trauma dhe Shefqet Ndroqi. Nga e diela deri të enjten, do të jenë te Trauma, ndërsa të premte e të shtunë do jenë te Shefqet Ndroqi. Janë marrë të gjitha masat që mos të ketë asnjë lloj ulje të nivelit të shërbimit”, theksoi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb