Presidenti kenian Uilliam Ruto njoftoi planet për të vendosur një mision zbulimi në Haiti për të forcuar mbështetjen për vendin e Karaibeve pas trazirave politike të kohëve të fundit.

Vendimi erdhi pasi Ruto bisedoi në telefon me kryeministrin e Bahamas Filip Dejvis, i cili është gjithashtu kryetar i Komunitetit dhe Tregut të Përbashkët të Karaibeve (CARICOM) dhe kryeministrit në largim të Haitit Ariel Henry.

“Gjatë diskutimeve, përcolla angazhimin tonë të palëkundur për të mbështetur Haitin, duke theksuar se ata janë vëllezërit dhe motrat tona. I sigurova se do të mbetemi të përfshirë aktivisht dhe nuk do ta braktisim Haitin në kohën e tyre të nevojës,” tha Ruto në X.

Gjatë diskutimeve, Presidenti Ruto përsëriti angazhimin e palëkundur të Kenias për të mbështetur Haitin, duke theksuar lidhjen e thellë mes dy vendeve. Ai tha se Kenia do të vendosë një mision zbulimi sapo të krijohet një administratë praktike në Haiti.

Misioni synon të sigurojë që personeli kenian i sigurisë, i cili do të numërojë deri në 1,000 policë, të jetë i përgatitur dhe i informuar siç duhet për t’iu përgjigjur efektivisht situatës në zhvillim në Haiti.

Ruto zhvilloi edhe një telefonatë me kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Kanadaja vlerësoi udhëheqjen e Kenias për misionin e Mbështetjes Shumëkombëshe të Sigurisë (MSS) në Haiti dhe premtoi mbështetje financiare prej 80.5 milionë dollarë.

Kjo vjen mes përpjekjeve të vazhdueshme të Haitit për të krijuar një këshill presidencial kalimtar pas dorëheqjes së Henrit në fillim të javës dhe vrasjes në vitin 2021 të presidentit Jovenel Moise, i cili ndihmoi në çuarjen e vendit në kaos.

Më parë këtë javë, Kenia njoftoi një mbajtje të përkohshme të vendosjes së planifikuar pas pasigurive që dalin nga situata politike në Haiti.

Haiti ka vite që lufton me dhunën e bandave dhe paqëndrueshmërinë politike. Situata është përkeqësuar muajt e fundit, me rrëmbimet, vrasjet, grabitjet me armë dhe krime të tjera të dhunshme që po bëhen të zakonshme.

Qeveria haitiane ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e rendit dhe sigurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb