Gazetarja e News24 në Greqi Ira Londo tha në “Dritare me Rudinën”, se emisioni Mazi Sou në televizionin më të madh në Greqi, TV SKAI, ka treguar një ndjeshmëri të lartë për vrasjen e Angjelines që nga momenti i parë, me një sërë reportazhesh nga vendi i ngjarjes, që kanë zbuluar mjaft detaje, duke kompletuar historinë për opinionin publik grek.

Menjëherë sapo News 24 dërgoi në këtë television videon e thirrjes së nënës që të kishte në shtëpi trupin e vajzës, drejtuesja e emisionit bëri thirrje për ta ndihmuar gruan. Pas emisionit gazetarët kanë kontaktuar me familjen për t’i ardhur në ndihmë nënës së vajzës duke mbuluar gjithë shpenzimet e sjelljes së trupit në Shqipëri.

Si përfundim, shpenzimet e udhëtimit janë mbuluar nga familja e Artemit, një kushëri që e shoqëronte kudo këto ditë si dhe të tjerë të afërm apo miq nga Korfuzi. Por emisioni ka dërguar avokaten e nënës, për të siguruar se edhe ligjërisht çështja do ndiqet deri në fund financuar prej tyre.

Avokatja e familjes ka patur edhe histori të tjera të vrasjes së fëmijës nga prindi grek apo dhune, por e konsideroi këtë ngjarje unike, me shumë prapaskena. Angjelina ishte tepër e dashur për të gjithë, pozitive, e mirë dhe mirënjohëse për çdo gjë. Ka shumë dëshmi për dhunë të vazhdueshme fizike, për kërcënime, dëbim nga shtëpia ku flinte dhe mbyllje në kotecin e pulave, për denoncimin e Angjelinës në polici, madje një shoqe e Angjelinës që nuk ka dashur të publikojë më tej dëshminë ka lënë të kuptohet tek gazetarët se sjellja mizore e publikuar nuk është e gjitha….

Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të thellë, pasi edhe në Greqi nuk është rast unik. Në media, gazetarët të sensibilizuar kanë reaguar për kërcënimin e shoqërisë demokratike nga episode të njëpasnjëshme dhune, duke u referuar dhe në vrasjen e studentes në Rhodes nga një shqiptar e një grek, sepse nuk pranoi të bënin me të çfarë donin. Por dhe i ushtrojnë kritikë policisë e sistemit vendor që nuk reagon në kohë kur grëtë kërkojnë ndihmë.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb