TIRANË- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas deklaratave të deputetes socialiste Arta Dade, e cila tha se PDIU po kërkon të zgjerohet artificialisht edhe në zonën e saj. Dade gjithashtu ‘zbuti’ tonet për përplasjen me Greqinë, duke thënë se ka një vullnet nga qeveria aktuale greke dhe shqiptare dhe janë krijuar grupet e punës për të zgjidhur çështjet pezull.

Nga ana tjetër PDIU shprehet se mirëkupton zonjën Dade pasi janë mësuar që t;u transmetojë mesazhet e Athinës. Ermal Telha, sekretar për çështjet ekonomike në PDIU thotë se kjo parti është forcë e tretë në Devoll dhe se ka kauza më të mëdha për t’u marrë me lajthime të çastit.

“Arta Daden e pyet për marrëdhëniet me Greqinë e të përgjigjet kam shqetësim rritjen e PDIU në Ersekë?! Ne e mirëkuptojmë sepse jemi mësuar të na transmetojë mesazhet e Athinës. Sa për votat dhe mbështetjen na vjen keq që nuk ia plotësojmë dot dëshirën sepse jemi forcë e tretë në Devoll e rritemi çdo ditë në të gjithë Qarkun e Korçës, si kudo ku ka mbështetës të interesit kombëtar shqiptar. Gjithsesi, kemi kauza shumë të mëdha për t’u marrë me lajthime të çastit”, është shprehur Telha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: