Në ditën kur Barça prezantoi Rodit, Reali prezantoi zyrtarisht Jose Mourinho-n, me teknikun portugez që rikthehet për herë të dytë në Madrid duke firmosur një kontratë deri në vitin 2029. Në krah të Florentino Perez, por me dyer të mbyllura, Mourinho foli për këtë eksperiencë të re, duke e vlerësuar maksimalisht, madje për të ka edhe më shumë shije se herën e parë:

“Jam rikthyer në shtëpi. Kur erdha herën e parë te Real Madrid ishte maksimumi i karrierës time profesionale, tani është edhe aspekti emocional, mendoj se këtë herë është edhe më speciale. E rëndësishme është që të punojmë për Real Madrid, kështu duhet të jetë për të gjithë. Ajo që mund t’i them tifozëve është se jam njëri prej jush, kështu kam qenë gjithnjë që nga dita kur u largova”, u shpreh Jose Mourinho.

Në intervistën e tij për faqen zyrtare të klubit, Mourinho zbuloi se këtë periudhë ka pasur kontakte të vazhdueshme me Rodrin: “Kam folur disa herë më të. Real Madrid i bëri një ofertë shumë të mirë. Rodri kishte disa dyshime, aq sa më bëri edhe mua të dyshoj. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, nuk kam asnjë gjë negative për të thënë për të, por Real Madrid është një klub që nuk mund të ketë lojtar të cilët mendohen dy herë për të ardhur këtu. A e bën kjo Barcelonën më të fortë? Jo, titujt fitohet në fushë”, u shpreh Mourinho.

Tekniku portugez foli me fjalë të mëdha edhe për Kylian Mbappe duke theksuar se është një lojtar fantastik, shumë i fuqishëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb