I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kastriot Islami u kthye pas në kohë, ndërsa solli në vëmendje se në ç’rrethana u zgjodh kryetar i parlamentit në vitin 1991.

“1991, për të thënë të vërtetën, kishte ndodhur në gjithë vendet e lindjes një parapërgatitje dhe një transformim. Parapërgatitja kishte nisur rreth 4-5 vjet më parë dhe në mënyrë më direkte ishte ajo që ndodhte në Bashkimin Sovjetik, me Gorbacovin i cili hodhi tezat e ‘Perestrojkës dhe Gllasnostit’. Duke parë që sistemi komunist nuk po funksiononte ishte menduar të transformohej gradualisht duke qëndruar prapë brenda sistemit. Kjo kishte filluar të ndodhte në Shqipëri. Madje nëse në shtetet e tjera Muri i Berlinit ra një ditë më parë, në Shqipëri do të binte në dhjetor të 1990. Edhe në zgjedhjet e 1991, për shkak se Shqipëria vinte nga një traditë ekstreme e komunizmit të mos ndodhte ndryshimi i madh, që forcat demokratike të fitonin zgjedhjet. Ato zgjedhje u fituan nga Partia e Punës me 2/3 e rezultatit, sepse Shqipëria ishte me përbërje të lartë mbi 60% jetonin në fshat, dhe ishin të lidhur me tokën, dhe kjo u luajt shumë me çështjen e tokës. Ndërkohë që u desh një vit pasi të fitonte Partia e Punës dhe transformohej në Parti Socialiste, në një kongres pra të ndryshonte vetëm emrin. Në fakt jo të transformohej po të ndryshonte vetëm emrin, sepse transformimi ka dashur një 10-vjeçar që të ndodhë dhe për një vit të kalohej në zgjedhjet e tjera dhe të bëhej ajo përmbysja në 1992. Në 1991 parlamenti kishte dy pjesë, ishte një parlament me 250 deputetë, që ishin të zgjedhur të gjithë në sistem maxhoritar. PD, partia e parë pluraliste që ishte formuar në dhjetor 1990, me një dekret të Byrosë Politike, që lejonte pluralizmin sepse kushtetuta nuk e lejonte, kishte konkurruar dhe kishim 2/3 e parlamentit të PPSH. Kishte konservator që vinin nga Partia e Punës, një pjesë anëtar të Partisë së Punës, por ishin të rinj të zgjedhur nga Ramiz Alia, figura të rëndësishme në jetën profesionale, dhe një grup i vogël, intelektualë me formim perëndimor por që nuk kishin qenë asnjë herë anëtarë të Partisë së Punës, unë bëja pjesë në këtë grupim. Dhe kur u mblodh grupi parlamentar, u bë një propozim që ju duhet ta drejtoni, unë në atë kohë e konsideroja të paimagjinueshme të drejtoja Parlamentin, pasi kisha investuar 25 vite në fizikë. Kisha pasion fizikën, kisha edhe doktoratën në Francë, dhe mendoja që karriera ime ishte fizikë”, rrëfen Islami.

“Unë e kam dëgjuar në mbledhjen e grupit parlamentar, ishte një surprizë për mua dhe unë vetë isha hezitant, nuk doja të merrja një angazhim të tillë, jo se nuk më pëlqente po mendoja që karrierën time e kisha në fizikë, aq më tepër që prisja të shkoja në Gjermani për studimet post doktorale. Në këtë moment kishte një mbështetje edhe morale, që unë të isha kryetar parlamenti. Ka pasur një debat, PD ishte kundër në atë kohë. Ka qenë një situatë jo e lehtë për mua, sepse parlamenti nuk kishte asnjë eksperiencë pluraliste, ku kishte maxhorancë dhe opozitë. Të dy palët ishin të përgjegjshme. PD kishte rreth 1/3 nga njerëz shumë aktiv. Quhej ende Kuvendi Popullor, vijohej me Kushtetutën e vjetër”, tregon Islami.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb