Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Akuzat për lidhje të deputetëve të ndryshëm me botën e krimit duket se do të vijojnë edhe më rëndë në nisje të sesionit të ri parlamentar. Deputeti socialist, Blendi Klosi deklaroi të hënën në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare në “Ora News” se ka parti të vogla që gjurmojnë pikërisht elementët e lidhur me krimin dhe i bëjnë deputetë. Në një përballje me deputetin e PD-së, Genc Pollo, Klosi u shpreh dje se “të mos dalim tani këtu dhe të bëjmë shenjtorët, kur ndërkohë e gjithë situata është e vështirë dhe ne kemi parti të vogla në terren që gjurmojnë këto elementët negativë dhe bëhen deputetë fare thjeshtë”, – deklaroi Klosi. Duke iu drejtuar sërish Pollos ai shtoi se “për ju nuk ka qenë shqetësim dekriminalizimi. Lufta që ka bërë qeverisja e Edi Ramës në çdo skaj të Shqipërisë ju nxori ju jashtë loje dhe politikës shqiptare i keni munguar kot 6 muaj”, – tha Klosi. Pas marrëveshjes mes dy palëve, ku njëra pikë parashikon edhe përpjekjet për dekriminalizimin e parlamentit, Pollo bëri të ditur se në PD po punojnë specialistë për të hartuar një propozim të detajuar për këtë çështje. “Për PD, nuk po flas për palën ndërkombëtare, po punojnë specialistë të fushës për të ardhur me një koncept, me një propozim mundësisht të detajuar, por duke parë të arsyeshme se çfarë propozimi ka mazhoranca. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe në mazhorancë, për këtë unë nuk kam dijeni. Nëse duhet të preket Kushtetuta, kemi një mazhorancë, përderisa ajo rezolutë u votua unanimisht. Nuk lexova një votë kundër apo abstenim, në këtë mënyrë mund të ndryshojnë ligjet e shtetit nëse është e nevojshme për situatën ku kemi degraduar, Kushtetutë, Kod Penal, Kod Zgjedhor dhe ligje të tjera, por këto kërkojnë një debat”, – tha Pollo. Nga ana e tij deputeti socialist, Blendi Klosi dha garanci për të mbështetur çdo nismë për të larguar të inkriminuarit nga Kuvendi dhe institucionet të tjera shtetërore. “Hajde t’i marrim dhe jo të ngelet, janë nja 20 emra aty, të thuhen emrat, rekordet kriminale dhe ata të spastrohen nga politika. I gjithë problemi është siç e thashë, ca shteti është i fortë, ca kanë garanci njerëzit që mos bëjnë ndërtime pa leje, se kush bën ndërtim pa leje, futet burg. Ca kanë frikë nga shteti se po të mbjellin drogë futen në burg, ashtu do jenë dhe forcat politike që nëse vendosin përfaqësues të komunitetit që janë real përfaqësues të politikës dhe nuk kanë këtë botën tjetër anësore dhe forcat politike do të kenë një përqasje tjetër”, – u shpreh Klosi. “Po të ishim ne aty dhe të silleshim normalisht, nuk do të kishim jo vetëm rezolutë po as impenjimin jo të Klosit, po as të Edi Ramës e Ilir Metës, që do bënin atë që duhet ta kishin bërë”, – tha më tej Pollo.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: