POGRADEC- Qindra gra dhe vajza kanë treguar mbështetjen e tyre për kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile. Gjatë prezantimit të programit, Diana Mile shoqërohej nga Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, si dhe  Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, duke u ndalur te rëndësia e rritjes së rolit të grave në vendimmarrje, u shpreh se zgjedhjet lokale, janë zgjedhjet për familjet, janë zgjedhje për projekte që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët. “Ndaj,- tha znj. Gjosha- vota për kandidaten e Aleancës  për Shqipërinë Europiane, është votë për një Pogradec më të zhvilluar dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët”.

“Programi i Dianës është pjesë e jetës suaj suaj të përditshme, sepse jeni ju ato që luftoni për fëmijët tuaj për t’i arsimuar,  për t’i çuar nëpër shkolla. Çdo gjë që ju keni shqetësim të përditshëm, jam e bindur që me në krye të bashkisë një grua si Diana Mile, do të  zgjidhen të gjitha hallet dhe që kanë familjet tuaja. Jam e bindur se kandidatja jonë do t’u qëndrojë  pranë, do ju hapë dyert e Bashkisë, do të vërë në jetë idetë tuaja për zhvillimin e Pogradecit. Vota për Dianën është votë për drejtimin e duhur të Pogradecit”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u shpreh se zgjedhja që Aleanca për Shqipërinë Europiane ka bërë për të vendosur një grua në qytetin e Pogradecit, nuk është një zgjedhje rastësore.

“Është zgjedhje nga frymëzimi që vjen nga të gjitha ju dhe nga ato qe ju përfaqësoni. Të gratë pogradecare, forcat politike PS dhe LSI kanë parë fuqinë e ndryshimit, kanë parë drejtimin e duhur, drejtimin nga ku nuk ka kthim mbrapa. Aleanca jonë  është forca më e madhe që do të ndryshoje këtë vend rrënjësisht duke e filluar nga të drejtat e grave, të drejtat e familjeve tona të ndershme, punëtore, të thjeshta”, tha Ministrja Kodheli.

Ndwrsa vetw kandidatje Mile tha se “Pjesëmarrja juaj sot është tregues se ju jeni mbështetja ime për të më votuar në 21 qershor, jeni mbështetja për drejtimin e duhur të Aleancës për Shqipërinë Europiane, jeni forca që do ju kem krah në rrugën time për t’i dhënë ngjyra Pogradecit”.

Ajo theksoi se Bashkia e Pogradecit do të ketë pjesë të stafit të saj më shumë gra dhe vajza, ndërsa në programin e saj ka parashikuar mbështetjen e tyre maksimale.

“Projektet e Bashkisë së Pogradecit do të mund të bëhen realitet me praninë më të madhe të grave dhe vajzave në vendimmarrje. Këshilli Bashkiak si asnjëherë më parë do të ketë 50% gra, çka do të thotë se bashkë do të mund të vendosim kush është më e mira për qytetin tonë, në mënyrë që të vazhdojmë projektet e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” pas 21 qershorit”, tha Mile.

Kandidatja u shpreh se program i saj ka si pikë kryesore  zhvillimin e turizmit katër stinor që në themel të tij do të këtë kontributin e grave dhe vajzave pogradecare. “Ky kontribut do të jetë për ndihmën që ju do të jepni në prodhimin e ushqimeve tradicionale dhe tregtimin e tyre në mënyrë të denjë. Ato gra e vajza të palodhura në bujqësi do të kenë mundësi që prodhimet e tyre të mos shkojnë dëm, por të tregtohen dhe të shijohen nga turistët që do të vizitojnë qytetin tonë”, tha Diana Mile.

Kandidatja e ASHE-së tha garantoi për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe në zhvillimin e gjithë Bashkisë së re.

“Të bëjmë realitet projektet tona, unazën e qytetit, të zbukurojmë vijën bregliqenore nga Lini në Tushemisht, të zhvillojmë zonat e Mokrës fisnike, të mos lejojmë të na shkojë dëm asnjë produkt bujqësor e të ndihemi krenarë që   dimë të drejtojmë një Bashki të Madhe”, tha Mile.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb