Një tjetër fjalim i fuqishëm ka jehuar në ditën e 37-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë. Një grua pjesëmarrëse në tubim ka marrë fjalën përpara masës së qytetarëve, duke zbërthyer natyrën e pushtetit aktual dhe duke dhënë një mesazh jetik për të ardhmen e kësaj revolte: ruajtjen e paqes dhe shmangien e dhunës me çdo kusht.
Sipas saj, vendi nuk ndodhet thjesht në një tranzicion të gjatë, por i është nënnënshtruar një sistemi të rrezikshëm që ajo e cilësoi si “diktaturë oligarkike” me përmasa ndërkombëtare.
Fokusin kryesor, protestuesja e vuri te ruajtja e karakterit paqësor të qëndresës, duke e parë këtë si të vetmen rrugë drejt fitores absolute.
“Nëse rrëshqasim në dhunë dështon misioni i kësaj proteste, e cila kërkon fundin e këtij tranzicioni. Ky tranzicion është një diktaturë oligarkike, është e një oligarkie të ngritur në nivelin e një mafia ndërkombëtare! Dhe koka është vetë qeveria,” deklaroi ajo prerë.
Duke e krahasuar situatën aktuale me të kaluarën e errët të vendit, ajo vuri në dukje se kjo protestë ka prodhuar tashmë një vlerë të madhe që nuk duhet humbur: zgjimin e vetëdijes popullore pa ndërmjetës politikanësh.
“Rrëzimi i Ramës është detyrë e protestës, jo e institucioneve që mund të ngrihen në emër të protestës. Pasi të rrëzohet Rama, atëherë të ngrihen institucione, qoftë edhe një Kuvend i protestës! Këtë vlerë solli protesta”, u shpreh ajo.
