Ndonëse po bëhen 5 muaj që Edmond Koseni fitoi “betejën” me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, ai vijon të jetë ende i pezulluar nga detyra. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tha se nëse rikthimi i tij në radhët e policisë do të vijojë të mbetet në heshtje, çështjen do ta çojë deri në Strasburg. “Për kthimin tim në polici do e çoj çështjen deri në Strasburg, do i ndjek të gjitha rrugët ligjore për diçka që mua më takon”, tha Koseni.

I cilësuar si “Komisari i Hekurt” Koseni u bë i njohur në 1997, kur u shpalli “luftë” të jashtëzakonshme bandave të armatosura të Shqipërisë së Mesme. Në vitin 2001 ai u pezullua nga radhët e policisë, pasi ndaj tij u renditën një sërë akuzash të kryera gjatë ushtrimit të detyrës si drejtues policie. Në vitin 2012, pas 11 vitesh betejë për drejtësi me shtetin shqiptar, Edmond Koseni u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Për rikthimin tuaj në radhët e Policisë së Shtetit, tashmë ka një vendim gjykate. A është zbatuar ky vendim nga ana e Ministrisë së Brendshme apo e Policisë së Shtetit?

Jo, nuk është zbatuar vendimi i gjykatës. Nuk është marrë ende asnjë masë për kthimin tim në polici.

Gjatë kësaj kohe jeni informuar se çfarë është duke u bërë me çështjen tuaj dhe a keni biseduar me kreun e policisë për rikthimin tuaj në punë?

Unë nuk kam komunikuar me asnjë person, sepse në momentin që unë kam çuar dosjen dhe të dhënat e mia në ministri e polici, më thanë se do të më lajmëronin ata vetë. Kanë kaluar 4 muaj dhe nuk është bërë asgjë për kthimin tim në polici. Ata duhet të më kishin kthyer mua në radhët e policisë që në momentin që unë fitova gjyqin penal. Çështjen e ndoqa hap pas hapi dhe i fitova të tria shkallët e gjykatës. Ata nuk reaguan, pasi unë u çova dosjen dhe dokumentet e mia. Unë futa Përmbarimin, është një firmë në Tiranë që merret me këto probleme. Ka shkuar Përmbarimi në Ministrinë e Brendshme dhe u ka lënë afat 45 ditë për të parë çështjen time. Po bën gati një muaj që Përmbarimi ka shkuar atje dhe ministria ka dhe pak ditë kohë për të parë çështjen time. I kanë bërë kërkesë edhe për pagën që unë duhet të marr edhe për vendin e punës dhe në rast se ata nuk reagojnë, do ta ndjekin sërish çështjen penalisht.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2017/03/30/komisari-i-hekurt-kercenon-nese-skthehem-ne-polici-ceshtjen-do-e-coj-ne-strasburg/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: