Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Shëndetësisë, deputetja e PS, Klodiana Spahiu, tha se qeveria ka përfunduar një marrëveshje për afrimin e 500 mijë dozash vaksinash Pfizer.

Ajo tha më tej, se popullata duhet të vaksinohet, në mënyrë që të përballojë virusin. Po ashtu, ajo shtoi se brenda marsit, do të vaksinohet e gjitha popullsia target, ashtu siç është parashikuar më herët.

“Ne kemi kaluar një sërë aktesh në parlament. Besoj që me furnizimin e mëtejshëm të mbi 500 mijë dozave të tjera të Pfizer do të arrijmë objektivin e vendosur nga ministria që brenda marsit popullsia target të jetë e vaksinuar. Duhet që popullata të vaksinohet se vetëm kjo bën të mundur uljen e rasteve të rënda. Duhet të jemi promotor të këtij procesi dhe duhet të merremi vesh me njëri-tjetrit, sepse do ia dalim mbanë kësaj pandemie. Shumë shpejt nis dhe gripi sezonal dhe ne duhet të bindim ato që janë të pavaksinuar të vaksinohen, edhe ata që kanë marrë një dozë dhe do të jetë vendim i Komitetit të Ekspertëve për dozën tretë. Duhet bërë kjo dozë, pasi ka grupe të rriskuara, si personeli mjekësor dhe mësuesit.

Në gjithë këtë periudhë, pavarësisht se nuk kemi qenë të gjithë në parlament, komisioni i shëndetësisë ka bërë një punë të lavdërueshme sepse ka qenë i gatshëm për realizimin në kohë dhe miratimin në Kuvend të marrëveshjeve që kanë ardhur. Në sajë të këmbënguljeve të ministrisë kemi marrë këto doza që s’janë pak”, tha Spahiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb