Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Një vit më parë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj prezantoi risinë e dikasterit që drejton për dhënien për herë të parë të 65 shërbimeve publike tek privati në formën e partneritetit publik-privat.

“Qasja jonë ndryshe lidhet me një marrëdhënie të re të PPP, e cila përfshirë gamën më të mundshme kontraktore publik privat duke përfshirë shërbime të cilat deri tani kanë qenë kosto për financat publike dhe kanë lënë shumë për të dëshiruar tek qytetarët”- deklaroi Ahmetaj më 6 janar 2015.

Në fakt duket se ministri e mbajti premtimin. Një vit më pas në valën e koncesioneve të formës së partneritetit publik-privat janë përfshirë shumë sektorë të ekonomisë që as vetë qeveria nuk ka një bilanc të qartë të numrit të tyre, të mënyrës së zbatimit të kontratave dhe rreziqeve që shkaktojnë në buxhetin e shtetit. Shqetësime këto të evidentuara shpesh herë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Edhe në raportin për Transparencën fiskale për Shqipërinë, FMN i tërheq vëmendjen qeverisë lidhur me transparencën fiskale të 55 projekteve të partneritetit publik-privat, pra të mungesës së një raporti të saktë mbi detyrimet buxhetore të koncesioneve.

Duke parë situatën jashtë kontrollit të koncesioneve, ministria e Ekonomisë në programin afat mesëm të reformave 2016-2018, ka parashikuar masat për të zvogëluar riskun e PPP. Për vitin aktual qeveria ka akorduar shumën prej 83 mijë eurosh për krijimin e një regjistri elektronik për koncesionet bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Kështu në programin e reformave citohet se; “Në vitin 2016, do të futet një regjistër publik në lidhje me të gjitha aktivitetet e projekteve të PPP-së dhe do të publikohen përmbledhje të të gjitha kontratave të tyre për të garantuar transparencë të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria.”

Për të patur një raport të plotë, ministria premton se, në fund të 2016-ës do të ketë një vlerësim të risqeve që vijnë nga aktivitetet e PPP-ve dhe koncesioneve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb