Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu ka reaguar ashpër sot pas mësymjes që ka nisur prej mëngjesit për konfiskimin e “Prestige Resort”.

Në një intervistë për News 24, Hysenbelliu shprehet se sulmet e kryeministrit ndaj tij vijnë për shkak se nuk pranoi të shiste televizionin dhe as të ndryshonte linjën editoriale.

Cili është komenti juaj? Si ndiheni teksa shikoni këtë kordon policor para godinave të Prestige Resort?

Irfan Hysenbelliu: Unë ndihem shumë i qetë se nga një njeri i sëmurë çfarë nuk pret. Kryeministrit i janë botuar kartelat psiqike të tij. Nuk shqetësohem për këtë që po ndodh sot. Raportet e kryeministrit me mua thonë se kanë qenë shumë të mirë. Qëkur ishte në Bashki dhe më pas, kemi pasur debate, për shkak se ai tjetër gjë ka në shpirt dhe tjetër gjë pasqyron. Kohë më parë bashkë me shefin e IKMT-së, çonte vazhdimisht policinë. I shkruaja sms dhe i thosha “po u çoj ujë dhe bukë, ti vazhdo mbaji aty”. Rama është një aktor shumë i zoti, tjetër gjë pasqyron dhe ndryshe vepron. Rama e nisi këtë se nuk isha pjesë e vijës së tij editoriale. Jam munduar të mbaj ekuilibra, pasi jam biznesmen dhe kam mbi 2 mijë të punësuar.

Të shkosh te Prestige pas raportit të DASH, kur ai sfidon shtetin më të madh? Ai e ka përbuzur flamurin e SHBA-ve dhe do të doja ti riktheheshit atyre pamjeve. Si mund të shkojë në ditë pushimi te Prestige pa asnjë njoftim? Kush është ky njeri që e kthen pronën si të dojë? Në atë biznes është paguar çdo taksë, punonjësit e merrnin të gjithë rrogën në bankë. Pse nuk e bëri kohë më parë prishjen? Vinte grupi parlamentar dhe ministrat e tij bënin seminare. Diçka e ka shqetësuar Ramën. Më vjen shumë keq që të rinjtë po emigrojnë sot me gomone. Nuk e di si ka surrat të dalë e të flasë në krah të kryeministrit anglez, kur ata njerëz kanë marrë gomonen. Ky duhet të kishte ikur me kohë. Sot njerëzit janë shumë të frikësuar.

Rama është rrezik për vendin. Ai e nisi me sulmin ndaj mediave. Le të dalë një gazetar dhe të thotë nuk e marr rrogën 100% në bankë. Ai donte që unë ta shisja News 24 siç u shit ABC. Kam pasur një administrator që ishte më parë deputet i PS. Ditën që iku ai, AMA çoi një letër që do të mbyllte sinjalin. Ku të shkojmë në Gjykatë? Motra e zv.kryeministres ka në kontroll gjyqësorin. Çdo gjyqtar është i frikësuar. Pse Rama përdor 2 standarde? Te unë vë tritolin, të tjerët i bën me parablerje?

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb