Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës ishte temë e diskutimit këtë mbrëmje në emisionin “Real Story”, në “News 24”. Analisti Arian Vasjari, tha gjatë fjalës së tij në studio se Shqipëria ka mbajtur një qëndrim korrekt deri më tani, por sipas tij kjo nuk duhet të ndodhë për një kohë të gjatë.

Ai tha, se në politikën e jashtme, vendimet e Kosovës dhe të Shqipërisë merren si një, kështu që, sipas tij, duhet të ketë dhe një konsensus mes palëve.

“Kjo është një çështja tepër e komplikuar. Shqipëria nuk ka as luksin as këllqet që të mbajë një anë të qartë në këtë konflikt, që është ndezur prej dekadash. Është e vërtetë që trajektorja historike e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe Shqipërisë dhe Palestinës, kanë qenë të kundërta. Marrëdhëniet Shqipëri Izrael, kanë nisur në bazën e një arsyeje humanitare, sot kanë një interes politik. E kundërta ka ndodhur me marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Palestinës, cila nisi si politike e sot kanë ardhur si një marrëdhënie që ka në bazë humanizmin.

Në mos sot, nesër, ne do të ballafaqohemi me këtë gjë. Them që Shqipëria, që prej fillimit të saj ka pasur tre momente që është ballafaquar me këtë konflikt. Ka momente që janë përballuar me sukses. Kemi votimin e 2017-ës që ishte një mendim kundër. Qeveria shqiptare tha që ne mbrojmë konsensusin ndërkombëtar për këtë qëndrim. Shqipëria, tha që jo, nuk mund të jetë Jerusalemi kryeqyteti. Unë besoj që ishte një qëndrim korrekt. Janë katër-pesë shtete që kanë pranuar Jerusalemin si kryeqytet. Qeveria shqiptare është sjellë në mënyrë korrekte, sepse nuk i ka rënë fati që të ketë pataten e nxehtë në dorë. Statusi i tanishëm, do e bëjë Shqipërinë të mbajë një qëndrim të qartë. Ky duhet të jetë momenti.

Duam s’duam, kemi lidhur marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Kosovës, që reflektojnë në politikën e jashtme. Rasti i Jerusalemit kryeqytet, është një siklet që na e hoqën amerikanët. Koha po shkurtohet dhe ne duhet të mbajmë një qëndrim të qartë. Ky kryqëzim interesash mes nesh dhe Kosovës, do të reflektojë një drejtim më të qartë mes asaj që ndodh mes Izraelit dhe Palestinës”, u shpreh Vasjari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb