Zbardhet vendimi në lidhje me pronën që u bë mollë sherri në ‘Kepin e Rodonit’, mes disa banorëve të fshatit Shetaj dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike, që çoi në arrestimin e 8 personave, mes tyre dhe ish-deputeti socialist, Mark Frroku. Në vendimin në fjalë të datës 16.05.2023 është vendosur që për këtë pronë të bëhet sigurimi i padisë.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb vendimin në fjalë, që sqaron dhe problematikën dhe pretendimet e palëve. Duket se i gjithë konflikti, që çoi në përleshje fizike dje mes disa personave, nisi mes kishës franceskane “Zoja Nunciate’ dhe shoqërisë ‘Albania Tourist Resort’ shpk, me administratore Ana Shtjefnin. Në vendimin në fjalë flitet për pretendimet e Kishës që kërkon lirimin e objektit me qira të dhënë për shoqërinë ‘Albania Tourist Resort’.

Kjo me pretendimin se shoqëria në fjalë po dëmtonte pronën dhe se ishte mbaruar kontrata. Nga ana tjetër shoqëria ‘Albania Tourist Resort’ pretendon se kishte investuar në këtë pronë dhe denononte vjedhjen e saj padrejtësisht. Po ashtu, në këtë zonë strategjike të Durrësit, për një pjesë të saj, banorët dhe kisha kanë dokumente pronësie.

Kujtojmë se, duke iu referuar burimeve zyrtare, Mark Frroku dhe grupi i tij që u konfliktua me banorë të zonës dje, përfaqësonin Kishën Katolike. Në momentin që nisi sherri, ata ishin duke bërë disa punime për rrethimin e pronës, gjë që është kundërshtuar nga banorët e zonës, që pretendojnë se janë pronarë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb