Drejtori i zyrës së Katekizmit në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, Miron Çako, tha në një lidhje me “Skype” për News24 se koronavirusi nuk është një mallkim nga Zoti.

Duket uruar Pashkët ortodokse, që kremtohen këtë fundjavë nga besimtarët ortodoksë, Çako u ndal dhe te situata e krijuar nga koronavirusi, duke thënë se është koha që njerëzit në mbarë botën të reflektojnë dhe të shtojnë besimin në Zot, pasi nëse kjo nuk ndodh, na presin gjëra edhe më të këqija.

“Mund ta mbyllin atmosferën e Pashkës, por Zoti nuk burgoset, nuk mbyllet, është përtej kufijve që kemi ne si njerëzorë. Perëndia nuk na ka braktisur, do veprojë edhe në këtë situatë të pazakotë dhe do ta ndryshojë shumë shpejt këtë situatë. Do të bëhet një lëndinë, ku njerëzit do të gëzojnë përsëri jetën. Zoti do veprojë dhe do ta ndryshojë gjithë këtë panoramë të trishtë. Pavarësisht kësaj situate, Krishti do vijë në shtëpitë tona, në zemrat tona, për të na dhënë mesazhin se nuk duhet të kemi frikë”, tha Çako.

I pyetur nëse është kjo një sprovë e madhe, dhe a do të bëhet njeriu më i mirë pas kësaj, Miron Çako deklaroi se “Patjetër që çdo gjë që ndodh nuk ndodh rastësisht. Asgjë nuk ndodh rastësisht, aq më tepër kjo situatë kaq e vështirë, që kufizon gjithë botën. Kjo nuk ka ardhur nga Zoti, nuk e ka krijuar Zoti këtë mallkim, por është djalli që do të marrë pushtetin mbi jetët tona. Nëse ne do të ishim shumë afër Perëndisë, do të kishim dalë shumë shpejt nga kjo situatë. Kjo është një kohë reflektimi dhe besoj se shumë njerëz po reflektojnë, edhe ata që nuk besojnë. Unë e kuptoj këtë si një sprovë që e lejoi Perëndia, që ne të reflektojmë, dhe nëse nuk reflektojmë, do na presin gjëra edhe më të këqija”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb