TIRANË

Deputetja e PD-së, bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin europian, deklaroi sot se korrupsioni është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve.

Duke folur për anëtarësimin në BE, Tabaku tha se një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim.

“Shqipëria kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE. Pak ditë më parë u publikua strategjia e zgjerimit dhe raporti për Shqipërinë, që çdo vit na tregon se ku jemi! Në fakt shumë nga ne në këtë sallë e jashtë kësaj salle e dimë shumë mirë gjendjen tonë. Kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE!

Gjatë gjithë kësaj kohe në opozitë kam kërkuar përherë e më shpesh që të punohet për konferencën e parë ndërqeveritare, e të punohej pavarësisht një date.

Ky është raporti i parë që dorëzohet ndërsa Europa është e përfshirë nga një luftë e padëshiruar, por e detyruar. Një ngjarje e veçantë që ka ndryshuar, për mirë deri më tani, qasjen e BE-së ndaj parimeve të saj dhe në veçanti ndaj rajonit tonë, duket se Evropa po e gjen forcën së brendshmi. Por, megjithëse shumëçka duket se ka ndryshuar nga disa vende skeptike në raport me ne, shumë pak ka ndryshuar nga Shqipëria në raport me detyrimet karshi vetes sonë dhe padyshim BE-së.
Një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim.
Tanimë që konferenca e parë është çelur, besoj është edhe më e qartë për këtë mazhorancë dhe qeverinë se ky është një proces merite që ka brenda tij së paku dy aktorë kryesorë.
Për rrjedhojë, ky raport duhet të jetë një dokument pune”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se në këto kushte kur Europa është shumë e hapur për të mikpritur Shqipërinë, duket shumë e pandershme që ne të mos jemi aty ku duhet.

“Dhe me shqetësim konstatova se vlerësimi për grupin e parë të kapitujve është i njëjtë me atë të një viti më parë, asnjë ndryshim në fakt pasi për dy vite me radhë ka qenë i tillë.
Atëherë kur duhet që çdo gjë ta vëmë në funksion të këtij procesi, ne nuk duket se ia kemi arritur.
Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma”, u shpreh ajo.

Tabaku tha më tej se korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit.

“Natyrisht raporti përmend arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, por për vendin më të korruptuar në Europë, një çështje si e inceneratorëve dëshmuar dhe faktuar nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët për 430 mln euro nga buxheti i shtetit, për koncesionet dhe PPP, SPAK ka një rrugë të gjatë për të bërë për të krijuar besueshmëri.
Hetime kriminale të natyrës Financiare, përmenden në raport, janë udhëhequr nga SPAK që kanë treguar përfshirjen e politikanëve dhe anëtarë të lartë të institucioneve shqiptare.
Njëkohësisht raporti thekson se duhet vullnet më i madh politik dhe vë në dukje se si gjyqësori po përpiqet të intimidohet në një farë mënyre; Korrupsioni i nivelit të lartë dhe politik duhet të trajtohet në mënyra më vendimtare, pasi vazhdojnë shenja të konflikteve të forta të interesave publike me ato private. Duhet një vullnet politik më i madh, një strukturim më i fortë dhe gjithashtu resurset e duhura dhe aftësitë për të shkuar tek niveli i mjaftueshmërisë.
Dhe ky këshill kombëtar këtë duhet të diskutojë cilat janë nevojat e institucioneve të reja të luftës ndaj korrupsionit, të cilat ne si Kuvend do duhet t’i vëmë menjëherë në dispozicion.
Javë më parë një anketë e OECD renditi se një nga shkaqet madhore për largimin e qytetarëve nga rajoni ishte korrupsioni. Nuk ka shqiptar brenda dhe jashtë kësaj salle që nuk dakordësohet se ky është shkaku themelor për largimin nga vendi i qytetarëve tanë.
Fatkeqësisht sot ky korrupsion, nuk është më korrupsion banaqesh që luftohet me shërbime online, për të cilat kam dyshimet e mia për aksesueshmërinë. Por është korrupsion politik, korrupsion me ligje, korrupsion që ka kapur nivelet më të larta të partive politike e parlamentit. Një sëmundje që ka nevojë për ndërhyrje urgjente”, u shpreh Tabaku.

Ajo deklaroi se krimi i organizuar vazhdon të mbetet një problem për Shqipërinë, i cili po eksportohet nga rajoni, në vendet e BE e deri në Amerikën latine, që po depërton në jetën ekonomike e financiare të vendit.

“Dua të përshëndes marrëveshjen me Europol në këtë drejtim (kërkesë e konferencës të parë), por kjo nuk është e mjaftueshme.

Fatkeqësisht përpos problematikës së korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigracionit (azilkërkuesve) ka dy probleme të tjera që janë vija e kuqe e BE-së. Së pari Amnistia Fiskale dhe së dyti Pasaportat e Arta. Sa i përket shtetësisë, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rrezik për sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis e BE-së shprehet KE. Raporti shprehet se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave”, tha Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb