Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka bërë të ditur se do të largohet nga Kosova, ndërsa në vend të tij do të jetë zëvendës ambasadori Nick Giacobbe, i ngarkuar me punë deri në ardhjen e ambasadorit të ardhshëm.

Kosnett shkruan në “Twitter” se po largohet me bindjen se populli i Kosovës do të ndërtojë të ardhme të sigurt për të gjithë.

“Duke qenë ambasador i SHBA-ve në Kosovë ka qenë një nder i jashtëzakonshëm. Unë largohem me bindjen në aftësinë e popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë, duke e ditur se shoku dhe zëvendësambasadori Nick Giacobbe do të jetë i ngarkuar me punë deri në ardhjen e Ambasadorit të ardhshëm”, shkruan Kosnett.

Mandati trevjeçar i Kosnett përfundon në fund të vitit. Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë është emëruar Jeffrey M. Hovenier, por ai duhet të konfirmohet nga Senati amerikan.

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb