Kryenegcoiatorët e Kosovës dhe Serbisë po takohen të mërkurën në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kërkim të një zgjidhjeje mbi përdorimin e dinarit serb në Kosovë, dy ditë pasi skadoi afati i planit kalimtar të cilin Banka Qendrore e kishte përcaktuar për të lehtësuar zbatimin e rregullores për pagesa me para në dorë.

Një ditë më parë i dërguari evropian për bisedimet me palëve, Miroslav Lajçak, shfaqi shpresën për një zgjidhje të përkohshme dhe të qëndrueshme mbi këtë çështje.

Pas takimit të fundit me 25 maj, zoti Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Takimi i sotëm është i shtati me radhë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë çështje që është shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: